Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, u shpall fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.
Kështu u bë e ditur sot në shpalljen e aktgjykimit ndaj Pal Lekajt.
Lekaj u dënua me burgim me kusht prej 1 viti e gjashtë muaj, dënim ky i cili do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Bashkë me Lekajn në këtë rast po akuzohet edhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.
Pal Lekajt, Ismet Isufit dhe Gani Ramës, iu shqiptua edhe dënimi plotësues mos-ushtrimi i funksionit për dy vjet dhe 69,780 euro t’ia kompensojnë komunës, në afat prej 1 viti.
Ismet Isufi u dënua me burg me kusht prej 6 muajsh, ndërsa Veli Hajdaraga u dënua me gjobë në shumë prej 8 mijë euro dhe 1 vit burgim me kusht.