Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, është gjetur sot i vdekur te Liqeni i Badovcit, raporton Express.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Lexo Edhe:
Këta janë kandidatët e LDK’së për deputetë, pjesë e saj edhe Adnan Merovci
“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ekipet e hetuesisë dhe krim-teknikës janë duke shikuar vendin e ngjarjes.
“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Për këtë rast është deklaruar edhe Kryeprorkuroi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.
Munishi ka treguar se prokurori është nisur për në vendngjarje për të parë se çfarë ka ndodhur.
“Prokurori është nisur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia është në vendin e ngjarjes. Ai është gjetur diku në mal i vdekur”, ka thënë Munishi
Ndryshe, Syleviqi ka qenë i thirrur si dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.
Ai ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllëzëerit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001. Ata e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin. /Gazeta Express