Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj disa zyrtarëve policorë, të cilët pretendohet se në stacionin policor kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve të Partisë Socialdemokrate, të cilët një ditë më parë kanë mbajtur një aksion para Policisë.
Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka ka thënë se IPK-ja është njoftuar për këtë rast.
Sipas tij, hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalur në vendin ngjarjes në Prishtinë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Beka.
Beka po ashtu theksoi se veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ndryshe, të martën përfaqësues të Partisë Socialdemokrate kanë protestuar para Stacionit të Policisë së Kosovës në qendër, duke shkruar në murin e këtij objekti “Për partitë tubime, për qytetarët dënime”.