Vjosa Osmani kërkon nga KQZ-ja ta rishqyrtojë vendimin për verifikim të aplikimeve të mërgimtarëve përmes telefonit

E publikuar: 11/01/2021 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me procesin e votimit dhe verifikimit të aplikimeve për votim të mërgatës, duke i kërkuar rishqyrtimin e vendimit të marr sot për verifikim të aplikimeve përmes telefonit.

Në një letër drejtuar kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, Osmani i ka kërkuar rishqyrtim të këtij vendimi, duke theksuar se ky vendim mund të krijojë rrethana në të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante.
“E drejta e votës është e drejtë fundamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejt e patjetërsueshme, e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë. Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, shkruan në letrën e Osmanit, drejtuar Dakës.