Qeveria në detyrë ka ndarë mjete shtesë për zgjedhjet e parakohshme

E publikuar: 11/01/2021 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria në detyrë e Kosovës me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e 56 me radhë të Qeverisë në detyrë, transmeton Klan Kosova.

Në njoftimin e Qeverisë në detyrë thuhet se “qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 165 mijë e 850 euro”.

“Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi. Në përputhje me këtë vendim, puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa”.