Obsesioni i Agim Veliut dhe Vjosa Osmanit me njëri-tjetrin

E publikuar: 05/01/2021 21:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zgjedhjet e 2019’tës i kishin pajtuar Agim Veliun dhe Vjosa Osmanin. Në fushatë shtrënguan dorën e njëri-tjetrit, e pasi partia e tyre i humbi zgjedhjet, viganët e LDK’së filluan avazin e vjetër – aty ku e kishin lënë, shkruan Express.

Lexo Edhe:
Gazeta online InfoSot, shpall konkurs për Gazetar/e praktikant/e dhe agjent/e te marketingut

Ky avaz ka rënë aq poshtë në nivelin e vet, sa sot kaloi edhe në fyerje e ofendime. Ishte Veliu që para dhjetë muajsh kishte premtuar se nuk do të merret me të, ndërsa sot fyeu Osmanin. Jo rrallë herë edhe Osmani i është kundërpërgjigjur në formën e saj.

Sagën e kishte filluar Osmani menjëherë pasi ra qeveria Kurti. Ajo kishte thënë se nuk ishte pro që Veliu të bëhej ministër i Brendshëm.

“Unë nuk kam menduar që do të duhej të ishte Veliu ministër në një Qeveri në të cilin ai nuk beson”.

“Me të [Vjosa Osmanin] nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar” — Kishte premtuar Veliu, vetëm pasi kishte shkruar një faqe duke u marrë me Vjosa Osmanin.

Fillimisht e kishte quajtur ‘përkthyese e Thaçit’. Pastaj e akuzoi si frikacake kinse Osmani nuk guxoi të garojë në zgjedhje. Vazhdoi duke e akuzuar se ia humbi zgjedhjet LDK’së e e përfundoi duke thënë se nuk do të merret më me Osmanin. Ishte prilli i vitit të kaluar.

Vetëm një muaj më pas, Veliu tha se “Nëse Vjosa Osmani çdo ditë bën thirrje kundër vendimeve të LDK’së dhe punon me të tjerët kundër neve, nuk e ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”.

Ashtu edhe doli. Një muaj më pas, kur LDK’ja e konsolidoi pushtetin pasi e largoi VV’në nga qeverisja, partia e Osmanit vendosi të merret me të. Kjo e fundit u shkarkua nga pozita e nënkryetares së LDK’së, pozitë të cilën e zuri Avdullah Hoti po atë ditë.

Kjo ndodhi bëri që Osmani të përafrohet me qëndrime më shumë me VV’në, sesa me partinë e saj.

I rizgjedhur ministër i Brendshëm, Veliu u mor prapë me Osmanin. Kësaj here tha se Osmani ka “kërcyer” në një parti tjetër.

“Në historinë e parlamentarizmit demokratik nuk mbahet mend që kryetari i Parlamentit të ketë qenë person jo partiak! Po ashtu, nuk mbahet mend kërcimi i kryetarit të Parlamentit në parti tjera!”.

Nuk vonoi shumë dhe Osmani premtoi themelimin e një iniciative të re politike. Përsëri Veliu merret me Osmanin duke i çuar selam se ajo s’mund ta ndajë LDK’në.

“LDK është parti tepër mirë e organizuar, parti politike që ju ka qëndruar shumë stuhive dhe nuk e besoj që mund ta ndajë dikush LDK’në aq më pak Vjosa Osmani e cila ka kohë që punon kundër LDK’së ajo ka kohë që është jashtë LDK’së me punë dhe veprime, me trup ka qenë në LDK deri më tash”.

Një muaj më pas, Veliu përsëri përmend se nuk ia vlen të merret me Osmanin.

“Ka kohë që Vjosa flet gjëra të pavërteta dhe nuk ia vlen të merremi me të për më tepër. Ajo ka kohë që është jashtë qëndrimeve dhe vijës së LDK’së. Këto po i pranon ajo edhe vetë, madje edhe bashkëpunëtorët e saj me të cilët po bashkëpunon. Tash e një kohë të gjatë ajo po bashkëpunon me Vetëvendosjen. Ata po deklarohen publikisht se janë në vij dhe mendojnë njëjtë, kemi qëndrime të afërta dhe këto janë publike”.

Kur Osmani edhe zyrtarisht mori disa zyrtarë të LDK’së në taborrin e vet, Veliu u mor prapë me Osmanin duke thënë se ajo nuk përfaqëson votuesit e tyre, e LDK s’ka qenë kurrë në zemrën e saj.

Veliu kërkoi nga Osmani sqarime për takimin e rastësishëm me Albin Kurtin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa ajo ia ktheu “Veliu le të harrojë që atij i jap sqarime”.

Zgjedhjet në bastionin e LDK’së erdhën. Kundër LDK’së garonte një ish-pjesëtar i saj, Shpejtim Bulliqi. Meqë i ngjashëm me Vjosën në karrierë, Veliu nuk kaloi pa i sinkronizuar bashkë. Sipas Veliut, Osmani ia ka bërë argatin Bulliqit, dhe se vizita e saj në Podujevë ishte e pritshme.

Ndërsa sot, dhjetë muaj pasi Veliu kishte premtuar se nuk do të merret me Osmanin, avazi i tyre kaloi në banalitet. Osmani tha se mund të rikthehet në LDK nëse ndërrohet kryesia e saj, derisa ministri Veliu tha për u.d së presidentit se “Krejt kryesia me ia lëshu vendin, edhe s’di a e nxen”.

Fyerja e tillë sot u komentua gjatë ditës nga gazetarë e analistë. Ndërsa stafi i Vjosa Osmanit kërkoi shkarkimin e Veliut për shkak të deklaratës së tij.

Visa Ymeri tha se deklarata e Veliut për Osmanin është e pahijshme dhe e papranueshme. Ndërsa Imer Mushkolaj tha për Veliun se mbetet sinonim i gërdisë politike.

Dhjetë muaj pasi Veliu premtoi se nuk do të merret më me Osmanin, ai këtë gjë e ka bërë të paktën shtatë herë./Express/