Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka akuzuar se drejtuesit e Policisë së Kosovës, sipas saj, janë vënë në shërbim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo ka shkruar në Facebook se derisa vjedhjet, grabitjet, plaçkitjet dhe sulmet janë kthyer në lajme ditore, udhëheqësit e policisë ‘më shumë shqetësohen për imazhin e LDK-së se sa për sigurinë e qytetarëve’ duke bërë krahasime statistikore pa asnjë analizë të mirëfilltë.
“Policia e Kosovës duhet të jetë garanci e mbrojtjes së rendit dhe ligjit dhe në të kujdeset për sigurinë e qytetarëve edhe nëse kryeministrat dhe partitë gabojnë. Se në çfarë niveli është siguria shtetërore, mjafton të kujtohen kontrabandistët, xhandarmëria dhe provokimet e shtetit serb që hyjnë e dalin si “n’bahçe të babës” për t’i dhënë kësaj qeverie notën më të dobët nga të gjitha qeveritë e deritashme”, ka shkruar Musliu.
Postimi i plotë:
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në shërbim të LDK-së. Mjaftoi një reagim i yni për të vërtetuar se Policia e Kosovës, ashtu si shumica e institucioneve të tjera publike, është kapur nga LDK-ja. Udhëheqësit e policisë më shumë shqetësohen për imazhin e LDK-së se sa për sigurinë e qytetarëve. Bëjnë krahasime statistikore pa asnjë analizë të mirëfilltë. Harrojnë që jemi në një vit jo të zakonshëm.
Po e përsëris prapë: siguria e brendshme nuk është as për së afërmi në nivelin e duhur.
Vjedhjet, grabitjet, plaçkitjet dhe sulmet janë kthyer në lajme ditore.
Se në çfarë niveli është siguria shtetërore, mjafton të kujtohen kontrabandistët, xhandarmëria dhe provokimet e shtetit serb që hyjnë e dalin si “n’bahçe të babës” për ti dhënë kësaj qeverie notën më të dobët nga të gjitha qeveritë e deritashme. Ju që flisni në emër të policisë po harroni që Policia nuk ka parti. Policia duhet te jetë garanci se edhe nëse kryeministrat dhe partitë gabojnë, ata do të jenë gjithmonë aty per te siguruar vendin dhe qytetarët. Politikanët shkojnë e vijnë. Policia është e Kosovës. Larg duart nga policia!
Ndryshe, Policia e Kosovës sot në një komunikatë për media ka bërë të ditur, se bazuar në realizimin e objektivave strategjike dhe planin e veprimit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale, ka arritur rezultate pozitive në uljen e trendit të krimit, përfshirë uljen e veprave penale si grabitjet, vjedhjet dhe vjedhjet e rënda.
Sipas një analizë gjithëpërfshirëse të realizimit të Planit të Punës për 2020, thuhet më tej në komunikatë, parametrat e matjes së krimit në përgjithësi krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shënuar rënie. Kështu, veprat penale, për këtë periudhë kohore kanë shënuar rënie për -6.15% (nga 24631 në 2019, në 23114 në 2020).
Po ashtu edhe rastet (veprat penale plus incidentet tjera) të iniciuara nga policia, kanë shënuar rënie për -6.31%. Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave të saja, në realizim të Planit të Punës, gjatë kësaj periudhe ka arrestuar 9715 të dyshuar, ose 12.71% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe numri i personave që janë dërguar në mbajtje është 3870, ose 9.87% më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Veprat penale (ato më kryesoret), kundër pasurisë, kanë shënuar një ulje të ndjeshme, ku numri i vjedhjeve ka shënuar ulje, nga 4131 në 3492 ose -15.46%; numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar ulje, nga 3421 në 3030 ose -11.42 %, ndërsa numri i rasteve grabitje ka shënuar ulje nga 147 në 127 ose -13.60%.