Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, me të cilin ka diskutuar mbi të rejat e fundit nga Specialja.
Cakaj në një postim në Facebook ka shkruar se për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare.
“Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Gjatë qëndrimit në Hagë, zhvillova një takim edhe me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, për të biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale!
Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada radhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq.
Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre.
Për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare!
Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush!
Mbështetje e solidaritet i plotë i Shqipërisë me Kosovën në këto rrethana jo të lehta për krejt kombin shqiptar.