Largimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), si dhe tatimeve të tjera, do të ishte zgjidhja më e mirë e cila do t’i ndihmonte bizneseve vendore. Kështu ka thënë Labinot Talla, pronar i fabrikës më të mëdha vendore e cila merret me përpunimin e mishit “KuviLab”.
Talla i cili drejton fabrikën që prodhon produkte si suxhuk, sallam, virshlle, proshutë, ka thënë se shteti do të duhej që ta zbriste TVSH-në, e ndoshta edhe ta eliminonte atë për disa muaj, pasi që TVSH-ja, është barrë e madhe për prodhuesit vendor.
“Ndihmesa më e madhe do të ishte një zbritje e TVSH-së për prodhuesit vendor apo një eliminim total gjatë disa muajve, pasi që është një barrë shumë e madhe. Është ngarkesë shumë e madhe për prodhuesit vendor dhe po besoj që kjo kish me qenë një ndihmesë shumë e madhe, pra zbritja e TVSH-së dhe tatimeve që kanë prodhuesit”, ka thënë Talla.
Ai thotë për KosovaPress, se prodhuesit vendor nuk kanë përkrahje të plotë nga institucionet. Sipas tij, për shkak të taksave nga shteti, shpeshherë ndodhë që produktet e importuara të shitën më lirë se sa produktet vendore.
“Si prodhues vendor ne përkrahemi pjesërisht, sepse ne kemi fituar një grand në vitin 2017, i cili ka ndihmuar në rinovimin e makinave e cila është ndihmesë shumë e madhe, por sa i për ketë taksave mendoj se këtu çalojmë sepse ka produkte në treg që importi është më i lirë se prodhuesi. Kjo është fatkeqësi sepse produktet vendore duhet të kenë ndihmesa të mëdha në taksa, që me dal edhe me çmim me të mire, por edhe me pas mundësi me ofrua kualitet me të mirë”, ka thënë Talla.
Ndërsa thotë se vendimet që kishte marrë Qeveria e Kosovës për shtyrjen e tatimeve për bizneset vendore për disa muaj, vetëm sa e ka e vështirësuar punën e bizneseve, pasi që shuma vetëm sa është grumbulluar, dhe nuk ka qenë e lehtë për ta paguar pastaj.
“Shteti ka bërë disa ndihma që të shtyhen tatimet për në muajt tjerë, por kjo ka qenë vetëm një barrë shtesë për ne, pasi që janë grumbulluar muajt dhe ka qenë një shumë e madhe që të paguhet pas dy muajve, që për neve nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Talla.
Talla iu ka bërë thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte vendor. E nëse qytetarët kanë dyshime, ai thotë se ata duhet t’i vizitojnë prodhuesit vendor që të binden me punën dhe kualitetin që ata ofrojnë, sepse siç thotë ai, as një vend internacional nuk ka diçka më shumë se sa prodhuesit vendor dhe krejt çka mungon për ta është përkrahja e qytetarëve të Kosovës. /B.Hajdari/