Milioneri kanadez nga industria e modës, Peter Nygard (79), u arrestua sot në qytetin Winnipeg në Kanada në bazë të Aktit të Ekstradimit, pasi u akuzua për përdhunimin e disa grave dhe vajzave në Shtetet e Bashkuara, dhe ai do të paraqitet në gjykatë sot.
Në fillim të këtij viti, autoritetet federale amerikane bastisën selinë e kompanisë së tij në Manhattan pasi 10 gra paraqitën një proces gjyqësor duke pretenduar se Nygard i joshte ato në pronën e tij në Bahama me para, duke premtuar t’i ndihmonte të ndërtonin një karrierë modelimi dhe më pas “duke i sulmuar, dhunuar dhe sodomizuar”, raporton Reuters.
Disa prej tyre thanë në proces gjyqësor se ishin 14 ose 15 vjeç kur Nygard u dha atyre alkool ose drogë dhe më pas i përdhunoi.
Pesëdhjetë e shtatë gra, përfshirë 18 shtetas kanadezë, janë bashkuar me procesin gjyqësor, i cili akuzon Nygard për joshjen e tyre për dekada duke përdorur dhunë, frikësim dhe ryshfet. Nygard mohoi të gjitha akuzat dhe pretendimet se kjo komplot ishte shkaktuar nga një konflikt me një fqinj miliarder në Bahama.
Një zëdhënës i kompanisë së tij njoftoi në fillim të këtij viti se milioneri do të largohej nga pozita e presidentit të kompanive të Nygard dhe se ai do të heqë pjesën e tij të pronësisë.
Nygard International filloi biznesin e tij në Winnipeg si prodhues i veshjeve sportive. Në faqen e internetit të kompanisë thuhet se sektori i tyre me pakicë ka më shumë se 170 dyqane në Amerikën e Veriut.