Masa të reja anti Covid për fund vit, së shpejti pritet vendimi

E publikuar: 14/12/2020 18:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Masat anti-covid do të vazhdojnë edhe më tutje në Kosovës, ndërkohë është paralajmëruar se Qeveria, Instituti i Shëndetit Publik dhe në koordinim me kryetarët e komunave do të ketë vendim sa i përket masave anti Covid për fund vit.

Kështu u tha pas takimit virtual të Këshillit të kryetarëve me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës, ku u diskutua lidhur me situatën aktuale me pandeminë Covid-19.

Në takim ishin të pranishëm kryetarët e komunave, zëvendëskryeministrin, Besnik Tahiri, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) Naser Ramadani dhe drejtori i Qendrës Spitalore Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Në hapje të takimit Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës falënderoi pjesëmarrësit për takim dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar mes institucioneve tona në betejën anti Covid-19.

Zëvendëskryeministri Tahiri tha se edhe pse kanë një përmirësim të situatës duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në vlerësim por edhe në dhe zbatim të masave.

“Qeveria e Kosovës po monitorin situatën dhe jemi në gjendje gatishmërie për masat dhe hapa në të ardhmen”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pasi falënderoj kryetarët e komunave për bashkëpunimin e deritashëm tha se masat e ndërmarra deri më tani kanë dhënë efektin e vetë.

“Dy javët e fundit kemi stagnim të rritjes dhe përhapjes të të infektuarave. Përveç masave në këtë drejtim ka ndikuar edhe puna dhe kontrollet e institucioneve tona që nga policia, inspektoratet dhe institucionet tjera përgjegjëse. Ndryshe këto masa do të vazhdojnë edhe më tutje. Aktualisht 15 komuna janë në zonën e kuqe, 9 komuna në zonën e verdhë derisa komunat tjera janë në zonën e gjelbër. Përkundër kësaj na duhet angazhim tutje, sidomos në mbikëqyrje të masave dhe me vazhduar bashkëpunimi i shkëlqyer mes Qeverisë dhe Komunat të Kosovës.Për festat e fund vitit do të jeni të informuar me kohë për hapat tonë të përbashkët duke vlerësuar situatën në detaje. Përfundimisht në raport me shtetet e rajonit dhe ato evropiane nuk qëndrojmë keq meqë në shumicën e tyre ka rritje të numrave të të infektuarve derisa edhe ka paralajmërime për mbyllje totale sidomos për festat e fund vitit”, ka thënë ai.

Kryetarët e komunave në adresimet e tyre lidhur me angazhimet në betejën Anti Covid-19 elaboruan për respektimin e masave, sfidat që kanë dhe dolën me propozime për çështjet të ndryshme në këtë betejë të përbashkët.

Në këtë takim para kryetarëve të komunave raportuan edhe Valbon Krasniqi – Drejtor i Qendrës Spitalore Universitare të Kosovës dhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP)Naser Ramadani.

Në përmbyllje të takimit, të pranishmit në këtë takim virtual u pajtuan që të ketë ngritje të vigjilencës institucionale edhe më tutje në respektim të masave, të mos ketë lirim të masave por veç shtrëngim të tyre të strukturuara por që nuk e afekton ekonominë, por as mbyllje totale të mos ketë për momentin.

Ministri i Shëndetsisë, Armend Zemaj në një postim në Facebook, ka thënë se në takimin e sotëm virtual me kryetarët e komunave, kenë bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në vend, si dhe një bashkërendim se si të ecim tutje në këtë dy javët e fundit të vitit.

“Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa. Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë. Ftoj qytetarët, të jenë të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe të zbatojnë masat anti Covid. Ne e kemi obligim ligjor, obligim ndaj qytetarëve, secili në përgjegjësit e veta, në radhë të parë ta ketë ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, si prioritet mbi prioritetet.Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti Covid për fund vit”, ka shkruar ai.