Qeveria e Kosovës mund të bie por asnjëherë të shantazhohet, ka thënë kryeministri i vendit, Avdullah Hoti kur është pyetur se a është shantazhuar ekzekutivi nga Lista Serbe lidhur me projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Hoti ka thënë se në ditët e ardhshme do të adresojë disa çështje me Listën Serbe.
Shefi i ekzekutivit ka dalur para gazetarëve pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë arritur të kalojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Kemi disa çështje që besoj në ditët e ardhshme do të duhet ti adresojmë me Listën Serbe, fakti që jemi në këtë pikë tregon që ne nuk mund të shatnazhohemi, Qeveria mund të bie por qeveria nuk mund të shantazhohet. Më vjen mirë që një pjesë e opozitës kanë marrë kresat tona të vazhdueshme, sepse qysh në muajt e verës kur ka shkuar në lexim të parë ky ligj në Kuvend, unë kam kërkuar nga deputetët pozitë dhe opozitë që të japin komentet e tyre, edhe në atë fazë kemi qenë të gatshëm t’i akomodojmë në ligjin për rimëkëmbje”, tha ai.
Kryeministri i vendit ka folur për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi arritën që në Kuvend t’i sigurojnë 72 vota të deputetëve për ta kaluar, meqë për disa herë më radhë i njëjti nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.
“Janë 212 milionë euro nga Trusti pensional që mund të tërheqin qytetarët e Republikës së Kosovës, është prej 200 milionë euro në buxhetin e Kosovës për biznese, është një fond tjetër prej rreth 20 milionë euro vetëm për punëtorët që humbin vendet e punës, është heqja e TVSh-së në lëndë të parë për prodhues vendor që besoj që do të ndihmojë shumë në këtë drejtim, është lirimi nga interesat dhe ndëshkimet për të gjitha kompanitë për vonesat në pagesën e tatimeve të ndryshme, është ulja e TVSH-së për gastronomi në 8%, dhe është fondi për garantim të kredive, rritja e fondit për garantim të kredive për mbulimin deri në 80% të kolateralit për kredi që marrin bizneset private”, tha Hoti.
Sipas Hotit, kjo do të gjenerojë milionë investime në ekonomi sapo ligjet të hyjnë në fuqi.
Hoti tha se me ligjin për rimëkëmbje ekonomike është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe duke shtuar se menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi, do të hapet aplikimi online për qytetarët që duan të tërheqin para nga Trusti.
Hoti tha se prej shumës së paraparë për këtë vit, 365 milionë euro nga buxheti i shtetit, deri tani janë ndarë 280 milionë, për biznese dhe qytetarë.
“Nga premtimi jonë prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike për 2020 dhe 2021 ne sivjet po realizojmë pjesë të konsiderueshme prej 365 milionë euro. ME këtë ligj që sapo e miratuam që fillon të zbatohet pas tetë ditësh sapo të hyjë në fuqi ne fusim në ekonomi edhe një shumë që është rreth ose afërsisht 600 milionë euro.
Hoti tha se sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Kosova radhitet në mesin e vendeve me pakon më të madhe për rimëkëmbje ekonomike.
Kuvendi i Kosovës, me 72 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim i dhanë “dritën e gjelbër” rimëkëmbjes ekonomike në vend. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk votuan fare.