Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thirrur sot një konferencë për media për të diskutuar në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 në vend, raporton Gazeta Express.
Me thirrjen e kësaj konference është menduar se do të shtohen masat mbrojtëse ndaj Covid-19.
Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Express, se nuk do të ketë shtrëngim të masave ndaj pandemisë Covid-19.
Masat e marra para dy javësh, do të vazhdojnë të zbatohen edhe më tej në vend.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë ditë më parë se vendimi i fundit për masat ndaj Covid-19, do të vazhdojë të jetë i njëjtë.
Ai ka thënë se shtimi i masave do të varet nga qytetarët e vendit, se sa ata i respektojnë masat aktuale.
Përndryshe, vendosja e orës policore si masë mbrojtëse është kundërshtuar shumë nga opozita.
Deputetë të këtij subjekti kanë kërkuar që kjo masë të largohet sa më shpejtë.