Organet shtetërore në Kosovë po akuzohen për krijim të monopolit dhe çrregullim të tërësishëm të tregut. Sektori i sigurimeve në Kosovë po konsiderohet të jetë i mbi-punësuar, ndërkohë që ka kompani më shumë se sa ka nevojë tregu. Një pjesë e madhe e tyre, mendohet se janë të nën-kapitalizuara, e BQK po akuzohet se nuk ka vepruar në kohë që t’ua marrë licencën.
Kështu u tha në diskutimin e Institutit GAP dhe Kosovo 2.0, me temën “Rritja e çmimit të sigurimit të veturave”, ku veç tjerash u përmend se nuk ka mbikëqyrje të tregut, për shkak se shumica e kompanive janë të nën-kapitalizuara, e që të njëjtat nuk i paguajnë dëmet, por qëllimshëm e bëjnë vlerësimin më të ulët.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati tha se me të hyrat që siguron tregu, ka mbi punësim ky sektor. Ai theksoi se marrë parasysh trendet edhe statistikat që janë në këtë sektor në BE, mund të shihet se sigurimi i auto-përgjegjësisë nuk gjeneron të ardhura për të hyrat e kompanive të sigurimeve.
“Në raport me madhësinë e tregut, me të hyrat që i siguron ky treg, ka mbi punësim si sektor. Edhe ka shumë më tepër kompani se sa që ka nevojë tregu. Për shkak se këtu i kemi 12 kompani, tash i kemi 11 të sigurimeve, të cilat konkurrojnë në një treg ku kryesisht të hyrat gjenerohen prej sigurimit të detyrueshëm të palës së tretë, të këtij sigurimit të automjeteve. Deri para se me ndodh rritja e çmimit, kanë qenë diku nga 80 milionë euro, mbi 50 kanë qenë të hyra nga sigurimi i detyrueshëm, kurse pjesa tjetër diku 25 ose 6 kanë qenë të hyra të sigurimeve shëndetësore, apo të rrezikut në punë. Pra, sigurime vullnetare”, theksoi ai.
Në Bashkimin Evropian, siç theksoi Murati, 90 për qind e të hyrave që sigurohen nga kjo tarifë, shfrytëzohen për të paguar dëmet, kurse në Kosovë sipas tij, 30 për qind shfrytëzohen për të paguar dëmet, ndërsa 70 për qind për të mbuluar shpenzimet operative të kompanive.
“Këtu ka ndodh një rritje të numrit të kompanive, e panevojshme, e tepërt. Megjithatë BQK nëse e shikon aspektin e licencimit nuk është se mund t’ia refuzojë licencën një kompanie që i plotëson kriteret. Por, megjithatë nën parimin e njëjtë do të duhej të lihej rregullimi tregut. Nëse zbatojmë parimin e tregut të lirë, ekonomia e tregut të lirë rregullimi dhe përjashtimi i lojtarëve të dobët… me përcaktuar përmes BQK-së, këto kompani kanë filluar luftën brenda llojit. Pra fillimisht duke u dhënë pare në tavolinë klientëve, duke iu dhënë ramate të ndryshme. Pra, nëse ka kushtuar 150 euro një policë e sigurimit, një agjent i caktuar ka mudur t’i ofroj klientit të vet 20 euro rapad-kesh. Gjë që është ilegale, por e kanë bërë një gjë të tillë”, shtoi ai.
Sipas tij, nuk ka një mbikëqyrje të tregut, për shkak se shumica e kompanive janë të nën-kapitalizuara, e që të njëjtat nuk paguajnë dëmet, por qëllimshëm e bëjnë vlerësimin më të ulët.
Ai ka përmendur edhe numrin e madh të veturave të paregjistruara, ku siç theksoi thuhet se janë rreth 100 mijë vetura. Megjithatë shtoi se problemi themelor është shpenzimi më i lartë se sa që duhet. Ai tha se BQK nuk ka vepruar në kohë, që t’ua marrë licencat kompanive të nën-kapitalizuara.
E kryetari i Autoritet të Konkurrencës së Kosovës, Valon Prestreshi se kanë bërë presion të jashtëzakonshëm ndaj BQK-së, në mënyrë që të fillohet liberalizimi i tregut.
Ndërkohë, që përmendi se BQK ka hezituar që të jap vendimet e tyre.
“BQZ ka hezituar që të na jep edhe neve vendimet si autoritet, deri kur ne jemi thirrur në një nen tonin të ligjit tonë, që nëse nuk na i jepni vendimet ne do të futemi me polici t’i marrim në mënyrë të dhunshme. Deri në atë stad kemi shkuar që është dashur t’i kërcënojmë që me i dhanë vendimet. Vendimet janë ashtu siç e kemi paramenduar e kanë konsideruar si konfidenciale, por edhe kjo pjesë duhet të shikohet a duhet të klasifikohen si konfidenciale. Këtu duhet të futet edhe AKI, konsideroj që ata janë zbatues të ligjit për konfidencialitetin e dokumenteve”, tha Prestreshi.
Ai tha se vet organet shtetërore janë duke krijuar monopole të paarsyeshme dhe çrregullim të tërësishëm të tregut.
Valon Mehmeti nga “Meraklit’kerreve”, tha se vitin e kaluar kishin organizuar një protestë kundër rritjen së çmimeve për sigurim të veturave. Ai tha se me takimin që kishin me guvernatorin e BQK-së, kishin pasur edhe disa kërkesa. Por që, sa i përket rritjes së çmimit prej 26 për qind, nuk kishin reaguar.
Mehmeti tha se është i papranueshëm vendimi se nëse dikush zgjedh të mos vozis veturën për një kohë, vozitësi do të ndëshkohet./Sh.Pajaziti/