“LDK për Kosovën”, një faqe jozyrtare në Facebook e simpatizantëve të LDK-së ka publikuar një fotografi të deputetes së Vetëvendosjes, Saranda Bogujevcit, e cila në një ekspozitë në Beograd ishte fotografuar me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, derisa po ia tregonte gjësendet e familjes së saj të vrarë në luftë.
Kjo fotografi, që nga faqja e shpërndarë u komentua si “fotografim me armikun e shqiptarëve dhe krahun e Millosheviqit”, ngjalli debat në rrjete sociale duke bërë që të reagojnë edhe deputetët e Kuvendit. Derisa e gjitha nisi në interpelancën për çështjen e të pagjeturve ku deputetët e LDK-së u përlasen me ata të Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova.
Hajrulla Çeku, deputet i Vetëvendosjes, shpërndau të njëjtën fotografi duke i thënë Qeverisë se duhet ta përdorë si manual në dialog.
“Qeveri e dashur, a jeni lodhë? Kjo fotografi është Manual për dialogun me Serbinë.E keni falas nga Saranda. Shfrytëzojeni”, shkroi ai në Facebook.
Më 18 dhjetor të vitit 2013, Fatos, Jehona dhe Sarandë Bogujevci, kishin hapur ekspozitën në Beograd të titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës” ku u ekspozuan fotografi dhe gjësende të familjes Bogujevci, 14 anëtarë të së cilës ishin vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Fatosi, Jehona dhe Saranda ishin fëmijët e kësaj familje që i kishin mbijetuar masakres të kryer në Podujevë, më 28 mars të vitit 1999, nga njësiti i forcave serbe i njohur me emrin “Shkorpionët”.


















