Arrihet marrëveshja mes Telekomit dhe Dardafon – zhbllokohen llogaritë

E publikuar: 16/11/2020 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomi dhe kompania Dardafon, me ndërmjetësimin dhe garancinë edhe nga Qeveria e Kosovës, kanë arritur sot marrëveshje për zhbllokimin e xhirollogarive të ndërmarrjes së Telekom Kosova.

Në një komunikatë për media thuhet se marrëveshja për shlyerjen e borxheve të Telekomit ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të korporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri.

Sipas marrëveshjes, Telekomi obligohet brenda 24 muajve, duke filluar nga 15 janari i vitit 2021, të shlyejë komplet borxhin ndaj Dardafon që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore.

Pas kësaj marrëveshje, bordi dhe menaxhmenti i Telekomit me përkrahjen e qeverisë do të nisin implementimin e planit për rimëkëmbje, ku brenda një afati trevjeçar do të investohet në rrjet dhe çështje tjera me rëndësi që ndikojnë në rritjen e vlerës së korporatës dhe stabilitetin financiar e teknik të kompanisë.