Kompanitë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech pohojnë se vaksina e tyre eksperimentale është 90 për qind efektive në parandalimin e infeksionit COVID-19.
Sidoqoftë, ky është vetëm një vlerësim fillestar. Të dhënat e performancës brenda grupeve specifike demografike nuk janë ende të disponueshme. Leif Erik Sander nga Spitali Charite në Berlin thotë se niveli i efektivitetit për njerëzit që i përkasin grupeve me rrezik të lartë nuk është përcaktuar ende.
Pretendimi për 90 për qind të efektivitetit ende nuk është botuar në një revistë mjekësore, thotë Sander. Nëse pretendimi provohet, do të jetë një përqindje jashtëzakonisht e lartë e efikasitetit, shton ai.
Komisioni Evropian ka negociuar me Pfizer dhe BioNTech për muaj me radhë për të marrë vaksinën tek anëtarët e BE sa më shpejt që ajo të vihet në dispozicion. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se Berlini kishte kërkuar rreth 100 milion doza të vaksinave. Anëtarët e BE do të marrin doza në përputhje me popullsinë e tyre, transmeton KosovaPress.
Kush do ta marrë dozën së pari? Njerëzit e moshuar, veçanërisht ata me sëmundje akute dhe profesionistët shëndetësorë do të kenë përparësi në shpërndarjen e vaksinave. Njerëzit që bëjnë punët e nevojshme për funksionimin e shoqërisë – duke përfshirë zyrtarë të qeverisë, oficerë policie, zjarrfikës dhe mësues – gjithashtu do të kenë një avantazh.
Sipas Spahn, vaksinimi do të bëhet në qendrat e përcaktuara për atë, të cilat do të vendosen në Gjermani në 10 ditët e ardhshme. Ekipet e lëvizshme mjekësore gjithashtu do të kryejnë vaksinime. Marketingu dhe ruajtja e vaksinave mund të jetë sfiduese duke pasur parasysh faktin se vaksina duhet të mbahet në -70 gradë Celsius.
Nuk ka gjasa që një dozë e vetme e vaksinës së koronavirusit mund ta bëjë një marrës imun për jetën. Ekspertët thonë se vaksinimi do të duhet të përsëritet, i ngjashëm me gripin. Pyetja e madhe pa përgjigje është nëse dikush që është imunizuar me vaksinën ende mund të transmetojë virusin te të tjerët. Ky mund të jetë një problem i madh në rastin e profesionistëve shëndetësorë.