Shaip Kamberi: Ja ku gaboi Kosova në çështjen e Luginës së Preshevës

E publikuar: 13/11/2020 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania, thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës gjithmonë janë përballur me probleme për shkak të diskriminimit nga serbët.

“Është një realitet i zymtë politik, një popullsi gjithnjë e më tepër duke u zvogëluar që ballafaqohet për njëzet vite, ndoshta dhe më shumë nëse vendosim dhe periudhën e Millosheviçit, me një diskriminim të egër shtetëror”, shprehet Kamberi.

Kjo situatë e vështirë ka ndikuar dhe në largimin e shumë prej shqiptarëve nga vendi i tyre.

“Sot pavarësisht kësaj, që ka ndodhur, të largimit të shumë njerëzve, në Preshevë shumica është absolute shqiptare mbi 90%, në Bujanovc është diku 56%. Por në Medvegj ajo që është më e dhimbshme është se aty jetojnë vetëm 500-600 shqiptarë, pjesa tjetër është në Kosovë”, tregon Kamberi.

Pjesa më e madhe e partive serbe i bojkotuan zgjedhjet e fundit por partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje dhe ai tregon arsyen.

“Gjithmonë kemi menduar se pjesëmarrja është rruga më e mirë t’i thuhen të vërtetat në sy të tyre atje dhe kjo çështja e bojkotit të një spektri të caktuar politik shqiptar i ka shërbyer si alibi Serbisë. Ne dëshirojmë të bisedojmë me shqiptarët, por ja këta janë bojkotues, në anën tjetër ata nuk kanë nisur asnjë proces dialogimi me neve që ishim pjesëmarrës”, tha Kamberi.

Ai thotë se, politika serbe duhet të kuptojë se shqiptarët janë një popull i rëndësishëm dhe duhet të shohin të ardhmen dhe jo të shkuarën.

“Shumica e partive opozitare edhe e partive që ishin dikur blloku parlamentar e akuzojnë Millosheviqin dhe Vuçiqin se po e shet Kosovën. Ata nuk kanë koncept të pajtimit me shqiptarët, nuk mbizotëron logjika e Dimitro, i cili thotë që me shqiptarët duhet të kemi marrëdhënie të mira, fqinjësi të mirë sepse janë popull i rëndësishëm në Ballkan”, tha Kamberi.

Çështja e Luginës së Preshevës duhet të diskutohet tani sepse nëse shtyhet më vonë do jenë larguar shumë shqiptarë nga aty.

“Të themi realisht, Kosova, çështjen e Luginës së Preshevës duhet ta kishte shtruar më parë, kur është diskutuar përgjegjësia që Kosova do të marrë për pakicat. Tani është momenti i fundit, e kanë një obligim moral dhe detyrim kombëtar”, tha ai.