Selimi nga Haga: Vrasje e spastrim etnik e gjenocid ka bërë Serbia në Kosovë

E publikuar: 11/11/2020 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK), Rexhep Selimi është paraqitur para Dhomave të Specializuara në Hagë. Kjo është paraqitja e tij e parë prej kur të njëjtit i është konfirmuar aktakuza për krime të pretenduara të luftës.

Para dhomave të Specializuara në Hagë, Rexhep Selimi tha se çdo kush që ka dyshime, do të bindet që Ushtria Çlirimtare të Kosovës nuk ka pasur lidhje me krime, por ka luftuar kundër okupatorit serb.

“Kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbia që vetëm të këqija i ka sjellë vendit tim. Vrasje, dëbime, dhunë, shfarosje, poshtërim, spastrim etnik e gjenocid ka bërë Serbia në Kosovë. Andaj unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim, unë jam veç një çlirimtar, që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n”, tha ai.