Ish-ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ylli Manjani ka komentuar në studion e Euronews Albania akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Manjani është shprehur se në aktakuzë ka një kërcitje logjike, pasi po hetohen viktimat.
“Nuk dua të paragjykoj, apo gjykoj aspak, por sidoqoftë mua më duket se është një spektakël i tepruar. Çështja e aktakuzave në parim mendoj që kërcet shumë, ka një kërcitje logjike. Është fakt tendenca apo dëshira për të gjetur kriminel lufte në radhët e viktimave. Viktima në këtë rast ishte populli i Kosovës. U organizua në mënyrë të tillë për të mbrojtur shtetin. Pra të kërkosh kriminel lufte në Kosovë është një problem logjik. Kjo le të shkojë deri në fund, le të shterohet përfundimisht. Është një fat i keq ky për Kosovën”, u shpreh Manjani.

















