Serbia liron Agim Gjocajn, Ministria e Jashtme kërkon lirimin edhe të Nezir Mehmetajt

E publikuar: 29/10/2020 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se Serbia ka liruar Agim Gjocajn.

MPJD kërkon lirimin edhe të Nezir Mehmetajt.

Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa Nezir Mehmetaj, vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), njofton se Serbia ka liruar Agim Gjocajn, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të Nezir Mehmetajt

Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa shtetasi tjetër Kosovar, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.

MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë.

Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik.

Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste.

Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht.