(Në dy vjetorin e vdekjes)
Veprimtari dhe luftëtari i palodhur për çlirimin e Kosovës shqiptare dhe të viseve të saj, Nazmi Llapashtica, u lind më 01.11.1947, në Dyz
(Besjanë).
Gjyshin e Nazmiut dhe gati gjithë familjen i kishte vrarë e masakruar Serbia në vitin 1921. Nga kjo masakër barbare kishte shpëtuar vetëm i ati i Nazmiut, Hajrullahu, fëmijë tre vjeç, me nënën e tij, gjyshen e bacës Nazmi.
Ai qyshë herët angazhohet në Lëvizjen Kombëtare. Nazmiu ishte njohur dhe bashkëvepronte me atdhetarin, Ahmet Haxhiun, dhe përmes tij edhe me Bacë Adem Demaçin që nga fillimi i viteve të 70-ta. Në këtë kohë organizojnë celula ilegale, kurse në Dyz kishin krijuar një treshe: Mustafë Llapashtica (Dëshmor), Sabri Uka e Nazmi LLapashtica. Kjo veprimtari bëhej në bashkëpunim të ngushtë me Ahmet Haxhiun dhe Xheladin Rekaliun… Baca Nazmi, me këta bashkëveprimtarë ishte edhe pjesë e organizimit të demonstratave të vitit 1981 në Besjanë (Podujevë). Në këtë demonstratë këta ishin pararoja e armatosur e saj.
Në vitet e 80-ta, ai zgjeron rrjetin e njerëzve tē veprimtarisë së organizuar. Në ato vite, baca Nazmi ishte njohur edhe me shumë njerëz të grupeve të ndryshme ilegale-atdhetare, që vepronin kundër pushtuesëve jugoserbë. Ai ishte njohur edhe me Xhavit Hazirin, Azem Sylën, Xhavit Halitin e veprimtarë tjerë.
Në ato vite të rënda pushtimi, Nazmi Llapashtica, në marrëveshje me Ahmet Haxhiun, kishte ndërtuar një bunker në shtëpinë e bacës Ahmet, në Prishtinë dhe një në fshatinë e tij, në Dyz, që përdoreshin për fshehjen e armëve dhe strehimin e veprimtarëve, që ndiqeshin nga organet pushtuese. Armët që siguroheshin në atë kohë nga organizata (LPK-ja) përmes veprimtarit të njohur, bacës Ahmet, i strehonin në këta bunkerë dhe pastaj ua jepnin shokëve të besushëm të organizatës… Një nga këto armë i ishte dërguar edhe Familjes Jashari në Prekaz dhe shumë të tjera për shokë të tjerë të njësiteve të para të LPK-UÇK-së.
Në bazën e Dyzit baca Nazmi, me shokët e tij të këtij fshati, kishte pritur për takime, mbledhje e për t’u strehuar edhe shumë veprimtarë e drejtuesë tjerë të LPK-së: Pajazit Jasharin (198), Gjyle Krasniqin (1982) , Xhavit Halitin, Ali Ahmetin, Hajdin Abazin, Emrush Xhemajlin, Shaban Mujën, Azem Sylën, Xhavit Hazirin, Ramadan Avdiun, Gafurr Elshanin, etj..
Në vitin 1986, baca Nazmi ishte burgosur dhe dënuar me 1 vit e gjashte muaj burg. Mirëpo, ai, edhe pas daljes nga burgu e vazhdoi veprimtarinë kombëtare e politike kundër pushtuesit të tokave të Shqipërisë. Të organizuar nga Ahmet Haxhiu, në mëngjesin e hershëm të 28 Nëntorit 1988, bashkë me Sabri Ukën, kishin vendosur flamuj kombëtarë nga Prishtina deri në Besjanë… Aksioni për vendosjen e flamujve shqiptarë ishte kryer edhe në shumë rajone e vende të Kosovës nga organizata.
Në vitin 1992, në shtëpinë e veprimtarit, Nazmi Llapashtica, mbahet një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, ku kishin marrë pjesë anëtarë të këtij Këshilli nga të gjitha trojet e pushtuara shqiptare. Ishte mbledhje e rëndësishme për angazhimin dhe përpjekjet për Liri. Kishin marrë pjesë: Ahmet Haxhiu Mehmet Hajrizi , Hydajat Hyseni, Azem Syla, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Musa Demiri, Hydajete Krasniqi, Gani Syla, Fadil Bajrami, Shukri Buja, Nazmi Hoxha, etj., anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm e drejtuesë të LPK-së.
Në vitin 1993, policia serbe kishte shpallur fletarrest dhe kërkonte ta arrestonte Nazmi Llapashticën. Në këto kushte, si edhe disa shokë tjerë të LPK-së, baca Nazmi ishte detyruar të largohet përkohësisht nga vendi. Ishin këta pak rreshta për veprimtarin dhe luftëtarin e orëve të para, Nazmi Llapashticën, i cili mbylli sytë më 27 tetor 2018…
I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për bacën Nazmi dhe veprimtarinë e Tij atdhetare!
• Ibishi Nezir ; Ahmet Haxhiu një jetë të tërë në Lëvizjen ilegale ,faqe 95,96.
• Zhitia Skender; Ushtria Çlirimtare e Kosovës Zona Operative e LLapit , faqe 47



















