Hoti i përgjigjet Lajçakut: Nuk do të preket karakteri unitar i Kosovës

E publikuar: 20/10/2020 12:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hoti ka thënë se shteti i Kosovës i ka vendosur parimet e tij karshi dialogut, duke siguruar se nuk do të preket integriteti territorial si dhe karakteri unitar i Kosovës.

Duke mos dashur të tregojë se a do të bëhen ndryshime kushtetuese apo jo, ashtu siç po kërkon ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak, shefi i qeverisë tha se marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke.

“I dini parimet që ne i kemi vendosur për procesin e dialogut që nuk bisedohet për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe kjo është hequr nga tavolina e bisedimeve, parimi i dytë është se nuk preket karakteri unitar i Kosovës dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke. Ne jemi në proces të dialogut dhe unë jam i kënaqur me progresin qe është bërë deri më tani, parimet që jemi duke mbajtur të cilët po respektohen nga partnerët tanë ndërkombëtar edhe nga ndërmjetësi i dialogut”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti ka folur edhe pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë e cila ka të bëjë me fazën e fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit për çka tha se në Prishtinë ndodhet një ekip ekspertësh të Departamentit Amerikan.

“Një ekip e ekspertëve të departamentit amerikan është në Kosovë, në Prishtinë janë duke i studiuar të gjitha modalitetet e nevojshme për të kryer këtë studim të fizibilitetit”, tha ai.

Këto komente kryeministri, Hoti u bëri pas vizitës që zhvilloi në Komunën e Klinës.

Kujtojmë që tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e ka stopuar dialogun Kosovë-Serbi, pasi që Serbia po përpiqet ta bëjë përsëri temë diskutimi kurse Kosova po e konsideron këtë çështje si një temë të mbyllur, e cila do të zbatohet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes reciproke në mes dyja vendeve.

Pas vizitës tre ditore që përfaqësuesi special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak zhvilloi në Kosovë, më 15 tetor, nga Beogradi tha se në një proces serioz negociator është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta. /kp