Qeveria shuan Departamentin special anti-korrupsion

E publikuar: 19/10/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot planin për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, tha se kanë identifikuar veprimet kyçe për zbatimin e marrëveshjes.

“Duke u bazuar në këto marrëveshja ka identifikuar veprimet kryesore, duke qenë se për disa pika kanë qenë më herët. Pritjet nga dikasteret të merren të gjitha masat për zbatimin e këtij plani”, tha ai.

Qeveria ka shfuqizuar vendimin mbi task-forcën antikorrupsion. Para votimit, ministri i Drejtësisë Selim Selimi, tha se vendimi mund të dëmtojë disa raste që janë në proces.

“Kisha shprehur si nevojë që pikë së pari të shikojmë të gjeturat e rishikimit funksional, pasi shfuqizimi i menjëhershëm ka mundësi t’i dëmtojë disa raste që janë në proces”, tha ai.

Por, kryeministri Avdullah Hoti tha se me këtë vendim i hapet rrugë që institucionet të veprojnë në bazë të ligjit.

“Ky është vendim i vitit 2010 që parashikon obligime që ka krijuar, që në fakt është ndarja e pushteteve. Kur është marrë vendimi për mandatin e EULEX, ka ndërruar plotësisht. Besoj që ky vendim i hap rrugë që institucionet të funksionojnë në bazë të ligjeve”, tha ai.

Qeveria ka shqyrtuar edhe draft-agjendën për reforma evropiane ERA 2. Zëvendëskryeministri Selmanaj gjatë prezantimit të këtij drafti, tha se janë 15 prioritete.

“Gjatë përgatitjes së ERA kanë dërguar në 15 prioritete, shtylla e parë reforma në sistemin e drejtësisë. Shtylla e dytë ka të bëjë me konkurrueshmërinë dhe klimën e të bërit biznes. Shtylla e tretë, arsimi, punësimi, shëndetësia”, tha ai.

Kabineti qeveritar ka marr vendim për ndalimin e procedurave të blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre.

Zëvendëskryeministri Selmanaj tha se me këtë vendim të gjitha ministritë obligohen të ndalojnë procedurat për blerje, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme do të inventarizojë veturat që janë.

Kryeministri Hoti tha se kanë vërejtur se në disa ministri ka mungesë të veturave e në disa të tjera ka më shumë se sa ka nevojë.

“Kemi prioritete të tjera dhe duhet të sigurojmë shpërndarje të veturave në mënyrë të barabartë. Ka edhe shërbime të tjera që mungojnë, ndërsa në disa ka më shumë sesa ka nevojë. Prandaj kemi kërkuar që të bëjë inventarizimin dhe pastaj shpërndarjen”, tha ai./M.Duraku/