Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka vazhduar të publikoj dokumente të masakrave që kreu Serbia në Kosovë.
Syla nëpërmjet një shkrimi në ‘facebook’ ka shkruar se “Z. Vuçiq, a janë masakrat që kreu në Kosovë, meritë që e gradove Gjeneralin Dikoviq?”.
Ai tutje shkruan se “Lubisha Dikoviq, ishte komandant i Brigadës 37 të Motorizuar. Nën komandën e tij ishin mbi 4500 ushtarë, që vepronin kryesisht në Kosovën Qendrore. Janë rreth 450 shqiptarë civilë të vrarë në zonën e përgjegjësisë së tij, shto këtu dhunimet dhe deportimin e popullatës”.
Mes tjerash ai thotë se në dokumentet e publikuara argumentohet urdhëri i tij për “pastrimin e territorit”.
“Në dokumentet që do paraqes, argumentohet urdhëri i tij për “pastrimin e territorit” ku përpos se u zhvarrosën viktimat shqiptare, kryesisht nga Izbica dhe fshatrat përreth, u urdhërua edhe ekzekutimi i kafshëve. Shumë prej mbetjeve mortore të viktimave, janë gjetur në fshatin Rudnica në Serbi. Ndërkohë, përpos se asnjë gjykatë nuk është marrë me dosjen Dikoviq. Në kohën e pushtetit të Vuçiqit, ai u shpërblye me detyrën e shefit të shtabit të Ushtrisë Serbe, në vitet 2011-2018. Z. Vuçiq a janë krimet që kreu në Kosovë, meritë e gradimit të tij?”, ka shkruar Syla.


















