Krasniqi akuzon Hotin e Zemajn se kanë këshilltarë filloristë

E publikuar: 09/10/2020 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti Elbert Krasniqi ka akuzuar qeverinë Hoti për moskujdesje ndaj komuniteteve pakicë, derisa ka theksuar se kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj po mbajnë në kabinetin e tyre tre këshilltarë që janë me shkollë fillore, gjë që është ofendim për qytetarët.

Krasniqi në seancën e Kuvendit për punën 100 ditore të qeverisë Hoti, tha se kjo qeveri erdhi me maska dhe do të ike me to. Sipas tij, Hoti nuk ka përkrahur komunitetet pakicë. Kjo madje shihet në rishikimin e buxhetit, ku janë përgjysmuar buxheti.

Ai përmendi edhe rastin e komuniteteve në Fushë Kosovë, të cilët janë mbetur pa ujë.

”Ju kujtohet mesazhi mbaj distancë, pastroni duart, vendos maska. Ju privuat nga e drejta që të kenë furnizim me ujë këto familje. Ju nuk iu siguruat as maska dhe po e mbani distancën nga projektet dora e qeverisë…..Zoti Hoti a i njiheni të gjithë këshilltarët politik në zyrën tuaj, e dini që në zyrën tuaj i keni dy këshilltarë që janë filloristë, nëse të dy bëhen bashkë mund të arrijnë as të shkolla fillore, të njëjtën praktikë e ka edhe zoti Zemaj, nuk e di a është ndonjë sekret i kësaj qeverie të ketë fillorista… për qytetarët është ofendim nëse ju në zyrën tuaj keni një këshilltarë i cili është fillorist që nuk di të ndaj as mjekësinë primare me sekondare”, tha ai, duke shtuar se në kohë pandemie po financojnë OJQ politike.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se këshilltarin e tij e ka lënë pa shkollë keqqeverisja e VV-së, por ai do ta shkollojë.

”E potencuar për një këshilltar politik që vjen nga komuniteti egjiptian, Mirsadi një djalë i mirë, i sjellshëm, i edukuar, nuk e di çfarë niveli akademik ka, por ajo çka e di është që në këtë situatë pandemike kujdeset për shëndetin e komunitetit egjiptian. Njeri human, i dashur, i trajton rastet të cilat kanë nevojë për t’u testuar e përcjell situatën epidemiologjike ku jeton komuniteti egjiptian dhe na informon për gjendjen e tyre, kërkon mjete mbrojtëse, shpërndan sipas nevojave që kanë në komunat përkatëse ”, tha ai.

Kurse, deputeti Elbert Krasniqi i tha ministrit Zemaj se nëse është i mirë, le ta dërgon në shtëpi.