Qytetarët e Kosovës nuk po arrijnë të pajisen me letërnjoftim tash e disa javë, ndonëse i kanë përfunduar të gjitha proceset e aplikimit. Kjo për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka siguruar materialin e nevojshëm për të lëshuar letërnjoftime, shkruan Gazeta Express.
MPB-ja para më shumë se një muaji kishte njoftuar se për shkak të pandemisë COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryej të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që në afat sa më të shkurtër kohor të furnizohet me material të nevojshëm, në mënyrë që të bëjë të mundur të pajisen me letërnjoftime të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Deri atëherë për kryerjen/marrjen e shërbimeve të nevojshme, mund të përdoret pasaporta valide e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.
Gazeta Express ka mësuar se as pas gjithë kësaj kohe kjo ministri ende nuk e ka siguruar materialin e nevojshëm dhe rrjedhimisht qytetarët nuk do të mund të pajisen me leternjoftim edhe për një kohë të pacaktuar.
Express ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të sqaruar se si do të funksionohet në rastet kur qytetarët nuk kanë pasaportë valide të Republikës së Kosovës, dokument ky që do të përdorej në mungesë të një letërnjoftimi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.