Të padrejta e spektakël po i quajnë arrestimet nga Gjykata Speciale të udhëheqësve të OVL-UÇK-së veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës të Zonës së Nerodimës.
Veterani i UÇK-së, njëherësh sekretar në Degën e OVL- UÇK në Ferizaj, Nexhat Shahini, thotë se arrestimi i udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve është spektakël.
Ai thotë se pamjet e arrestimit të udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve irritojnë veteranët, pasi sipas tij, një veprim i tillë nuk ka qenë i nevojshëm.
“Spektaklet e paraqitura në mjetet e informimit lidhur me arrestimet e fundit vërtetë i japin shije të keqe veteranëve të luftës. Deri më sot është dëshmuar se të gjithë veteranët e luftës të cilët kanë qenë të hetuar apo të dyshuar për krime të luftës të gjithë janë lajmëruar vullnetarisht dhe asnjëherë nuk ka pasur nevojë për spektakle të tilla. Veprimet e fundit ngrisin neveri dhe irritojnë veteranët pasi që nuk ka qenë e domosdoshme një veprim i tillë, sepse është dëshmuar që veteranët janë gjithherë të gatshëm të japin llogari për atë për të cilën akuzohen”, thotë ai.
Vetë Gjykatën Speciale, Shahini e quan si të padrejtë dhe si politike, ku thotë se po gjykohet viktima dhe jo ai që ka bërë krime.
“Është Gjykatë politike, sikur të ishin të përfshira në gjykime të gjithë grupet e përfshira në luftën e Kosovës sigurisht që nuk do të kishte vend për ta kundërshtuar, por përderisa është e njëanshme dhe përndjek vetëm ushtarët e UÇK-së mendoj që është politike për t’ia bërë qejfin kërkesave të Serbisë”, thotë ai.
Veterani i UÇK-së Nazmi Hajdari, që ka qenë pjesë e Zonës Operative të Nerodimës, thotë se të gjitha arrestimet e ditëve të fundit janë një e padrejtë që po i ndodh Kosovës.
“Arrestimet e fundit janë diçka e padrejtë që i ka ndodhur Kosovës. Lufta jonë, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, luftë mbrojtëse për lirinë e vendit, për çlirimin e atdheut. Shumë e padrejtë, arrestime të padrejta janë, nuk na ka takuar kjo me na ndodh në historinë e popullit tonë. Janë arrestime të padrejta, gjykimi i pjesëtarëve të UÇK-së është i padrejtë”, thotë ai.
Ai thotë se Gjykata Speciale është një e padrejtë që po i ndodh UÇK-së, pasi sipas tij nuk po gjykohet forca që ka bërë krime por po gjykohet lufta çlirimtare.
“Sigurisht që e dëmton, se ajo faktikisht në rast se po gjykohet vetëm një ushtri, nuk po gjykohen të dy forcat, forca që ka bërë krime nuk po gjykohet po gjykohet lufta çlirimtare. Është gjykim i padrejtë”, thotë ai.
Përndryshe, ditë më parë për më shumë se tetë orë është mbajtur e rrethuar ndërtesa e OVL-UÇK-së. Policia e EULEX-it ka arrestuar kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.