Qeveria aprovon masa të reja kundër Covid-19: Gastronomia një orë më shumë

E publikuar: 25/09/2020 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese (mbledhje elektronike), të 32-tën me radhë, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Pas shqyrtimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, sipas të cilit:

1. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC (e cila përditësohet çdo dy javë), duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 se janë të shëndoshë nga COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

1.1. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë, ku në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së.

1.2. Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratë që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së.

1.3. Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar.

1.4. Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare transite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh.

1.5. Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.
1.5.1. Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë.

1.6. Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS, si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ.

1.7. Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS, si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali.

1.8. Bartësit e dokumenteve personale, të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.

2. Obligohen institucionet shëndetësore që të rikthejnë shërbimet shëndetësore në përputhje me masat për mbrojtje nga COVID-19.

3. Të gjitha institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.

4. Të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme), bazuar në vlerësimin e dhënë nga autoritetet komunale dhe se i plotësojnë kushtet për punë, duke respektuar masat mbrojtëse kundër COVID-19:

4.1. U ndalohet funksionimi nga ora 23:30 deri në 05:00, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

4.2. Prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) ndalohet muzika.

4.3. Brenda këtij orari mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët.

5. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë, gjatë hyrjeve në objekte publike dhe private.

6. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe etj, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.

7. Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.

8. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

9. Lejohet therja e kafshëve në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve.

10. Qytetarëve të Republikës së Kosovës u lejohet pjesëmarrja në ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, në objektet fetare dhe jashtë tyre në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë, gjatë hyrjeve në objekte.

11. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

12. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimi për të respektuar distancën etj) në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.

13. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitetet, si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19; Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.

14. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira te mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona, gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.

15. Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë, gjatë hyrjeve në objekte.

16. Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre, sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

17. Kërkohet nga të gjitha komunat të ri-aktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

18. Për ushtrim të veprimtarisë së çerdheve publike dhe private, në tërë territorin e Republikës së Kosovës kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë, gjatë hyrjeve në objekte.

19. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që menjëherë të marrë vendim për masat e përgjithshme për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 ( përfshirë përdorimin e maskave) konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

20. Shfuqizohet Vendimi nr. 01/17 i datës 28 korrik.

Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe propozimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndarje të mjeteve shtesë financiare, në vlerë prej 3,989,423 € (tre milionë e nën qind e tetëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e njëzet e tre euro), për angazhimin e shtuar dhe punë me orar të zgjatur në terren, të zyrtareve policorë aktiv në terren dhe të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19:

1. Për pagesën e orëve shtesë, për diferencën e papaguar të orëve mbi normën e lejuar (40 orë punë) të krijuara pas datës 15 Mars 2020 deri më 31 gusht 2020, në vlerë totale prej 4,792,046 € (katër milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e katër dhjetë e gjashtë €), si në vijim:

1.1. 50% e këtyre mjeteve (2,396,023 Euro) do të paguhen me pagën e muajit shtator 2020, ndërsa

1.2. Pjesa e mbetur në muajt në vijim, në varësi të disponueshmërisë së mjeteve në dispozicion, në kategorinë e pagave dhe shtesa.

1.3. Për pagesën e shtesës mbi pagën bazë, në vlerë prej 100 Euro në muaj, për muajt korrik, gusht dhe shtator 2020, në vlerë totale prej 1,593,400 Euro (Një milion e pesëqind e nëntëdhjetë e tremijë e katërqind €).

Pagesa e orëve shtesë, si dhe shtesës në pagë bëhet në bazë të listave të bashkëngjitura këtij vendimi, të aprovuara nga Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që konfirmojnë përputhshmërinë e listave emërore të përgatitura dhe aprovuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.