Hoti, deputetëve: Nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë

E publikuar: 17/09/2020 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë raportimit të tij në Kuvend lidhur me dialogun me Serbinë, ka thënë se ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ai ka thënë se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Kryeministri Hoti ka thënë se udhërrëfyes për dialogun është Kushtetua e Kosovës.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi Kushtetues i Kosovës nuk bënë të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse Kushtetuta është instrumenti i vetëm që na mundëson zhvillimin e këtij procesi dhe nënshkrimin eventual të marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se në këtë fazë janë duke bërë draftim të elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Draftimi ka filluar me dy tema të cilat i kemi imponuar, personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike, pala serbe ka kërkuar që në diskutim të shtrohet edhe çështja e të zhvendosurve”, tha Hoti.

Ai tha se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë dialog teknik, por vetëm dialog për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke .