Hoti: Nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, po punojmë në draftimin e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë

E publikuar: 16/09/2020 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se udhërrëfyes për Qeverinë e Kosovës për procesin e dialogut është Kushtetua e vendit.

Hoti në tryezën e organizuar nga KDI për procesin e dialogut, ka thënë se për këtë proces nuk do të ketë zgjedhje akademike por sistematike.
“Udhërrëfyes nga dita e parë kur kemi marrë detyrën për proces të dialogut është Kushtetua e Kosovës. Nuk do të shihni dokumente, platforma të ndryshme që janë të tipit të shkuara mirë në aspektin akademik që japin zgjidhje kreative për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Atë që keni me pa është një qasje sistematike në zgjidhjen e këtij problemi, pra nuk do të ketë zgjidhje kreative, por sistematike”, ka thënë Hoti, shkruan Telegrafi.

Kryeministri ka përmendur edhe parimet me të cilat Kosova është ulur në tryezën e diskutimit me Serbinë.

Hoti ka thënë se në takimet që ai ka zhvilluar në Uashington dhe Bruksel nuk është diskutuar për territorin e Kosovës.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi Kushtetues i Kosovës nuk bënë të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse Kushtetuta është instrumenti i vetëm që na mundëson zhvillimin e këtij procesi dhe nënshkrimin eventual të marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë kryeministri Hoti.
Hoti ka shtuar se produkt i marrëveshjes përfundimtare dhe obligim i BE është tejkalimi i problemit që kemi me 5 vendet që nuk e njohin Kosovën, shfuqizimi i rezolutës 1244, anëtarësimi në OKB dhe organizata ndërkombëtare, hapna e perspektivës për integrime euroatlantike, dhe adresimi i të gjitha çështjeve pa përjashtim.

Kryeministri e ka ripërsëritur se nuk ka dialog teknik me Serbinë, dhe se ai nuk do të hezitoj të ulët në tryezën e dialogut që mbahen në Uashington e Bruksel.
“Nuk do të hezitoj të ulem në tryezën e dialogut ku do që ndodh në Uashington ose në Bruksel, pra vetëm në këto dy vende jo diku tjetër. Nuk ka dialog teknik, nuk jemi duke arritur ndonjë marrëveshje parciale për bashkëpunim ekonomik ose për normalizim të linjave të transportit ose lëvizjes së lirë…siç e dini për nëntë vite me radhë Qeveritë e kaluara kanë negociuar për të arritur marrëveshje, të cilat disa janë zbatuar por shumica mbesin të pa zbatuara dhe kjo për faktin se nuk është adresuar çështja kryesore që është njohja reciproke”, ka thënë Hoti, duke shtuar se pa e arritur njohjen reciproke mes dy vendeve nuk mund të adresojmë çështjet tjera.

Hoti ka thënë se në këtë fazë janë duke bërë draftim të elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.