Ish prokurori serb për krime të luftës, Vladimir Vukçeviq, ka rrëfyer për bashkëpunimin e tij me hetuesit dhe prokurorët e Gjykatës Speciale, në një intervistë për mediumin serb KoSSev, të premten.
Duke komentuar lajmin për dërgimin e 4000 dosjeve të Gjykatës Speciale në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ditë më parë, nga një person i maskuar, Vukçeviq ka thënë se kjo gjë i duket e “çuditshme dhe e pabesueshme”.
Një korrespondencë e vitit 2013 midis ish prokurorit special Clint Williamson dhe ish prokurorit serb Vladimir Vukçeviq ishte një ndër dokumentet e prezantuara në media si material që pretendohet të ketë dalë jashtë Prokurorisë Speciale.
Vukçeviq, në bisedë me KoSSev, ka rikujtuar masat e larta të sigurisë që i kanë ndërmarrë hetuesit në të kaluarën, ndërsa ka përmendur se selia e Clint Williamson ishte në hapësirat e NATO-s në Bruksel.
“Aq ishte i lartë diskrecioni për të mos u zbuluar kush ishin dëshmitarët”, ka thënë ish prokurori serb.
“Të vetmit që ishin atje ishim unë dhe zëvendësi im Bruno Vekariq. Askush tjetër. Ishte aq e mbyllur për këdo”, ka shtuar ai.
Vukçeviq thotë se ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Clint Williamson.
Ai ka pohuar se në kohën kur Williamson punonte në raportin e vet, ai i kishte marrë dëshmitarët në pyetje në hapësirat e Prokurorisë për Krime të Luftës në Beograd.
“Nuk më ka dërguar kurrfarë dëshmitarësh, as emrat e dëshmitarëve, që unë t’i marr në pyetje, një gjë e tillë as nuk ishte e mundur. Sipas procesit, nuk mund të më urdhërojë ai mua, dhe askush tjetër”, ka thënë Vukçeviq.
“Ai neve na kishte dhënë listën e dëshmitarëve që u interesonin atyre, pastaj unë ia pata dhënë urdhrin shërbimit tonë që t’i ftonte dhe që t’i sillte. Kjo ishte procedura, megjithatë kurrfarë emaile shtesë nuk më ka dërguar ai mua, që unë t’i marr në pyetje. Ata janë marrë në pyetje pa neve. Ne vetëm ofronim logjistikë”, ka thënë ish prokurori serb.
“Larg qoftë që m’i dërgonte emrat me email”, ka shtuar ai.
Vukçeviq edhe një herë ka rikujtuar që Prokuroria serbe për krime të luftës i ka marrë në pyetje dëshmitarët e vet në fazën para krijimit të Dhomave të Specializuara, që ata ishin persona për të cilët konsiderohej se mund të ndihmojnë në zbardhjen e krimeve të luftës dhe që kjo punë i paraprinte nismës së Dick Martyt.
“Nuk e ka zbuluar Dick Marty atë, por ne. Pasi që shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë, unë ia përcolla Komisionit Evropian, pastaj Dick Marty erdhi, e konfirmoi se ajo që ne kemi zbuluar është proceduralisht valide”, ka thënë ish prokurori serb.
Gjykata Speciale është themeluar më 1 shtator të vitit 2016 në Hagë, por ajo e ka trashëguar stafin dhe mandatin e Grupit të Posaçëm Hetimor për hetime të pretendimeve të përmbajtura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe tregtia e paligjshme me organe njerëzore në Kosovë” (Raporti i KE-së), i cili është publikuar në fillim të vitit 2011, e të cilin e udhëhiqte Clint Williamson.
Gjykata Speciale është formuar pikërisht duke u bazuar në raportin e prokurorit special amerikan Clint Williamson në vitin 2014, i cili ishte marrë me hetimin paraprak të Raportuesit Special të Komisionit Evropian, zviceranit Dick Marty nga viti 2011.




















