Ambasadori amerikan: Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë të zbatohet siç është nënshkruar

E publikuar: 11/09/2020 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, deklaroi sot se SHBA-ja inkurajon nënshkruesit e Marrëveshjes në Uashington që ta zbatojnë atë ashtu siç e kanë nënshkruar, raportojnë mediat e Beogradit.

Ai ka bërë të ditur se së shpejti në Serbi do të vijë Korporata Financiare Ndërkombëtare Zhvillimore (DFC), e cila do të ndihmojë që SHBA të përmbushë ato që i ka premtuar.
“Po ashtu shpresoj që edhe miqtë tanë të respektojnë atë që e kanë nënshkruar”, ka thënë Anthony Godfrey, duke u përgjigjur në pyetjen nëse dokumenti është juridikisht detyrues për të gjitha palët dhe nëse do të ketë sanksione nëse ndonjëra palë nuk përmbushë atë për çka janë marrë vesh.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar të premten, marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Normalizimi i raporteve nis me transportin ajror, hekurudhor e rrugor

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem./Gazeta Express