Agim Veliu për largimin e Vjosa Osmanit: Ka kohë që punon kundër LDK-së

E publikuar: 09/09/2020 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka qëndruar në vizitë te komuna e bashkëpartiakut të tij, kryetarit Lutfi Haziri.

Ai nga atje ka komentuar edhe largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja duke thënë se ajo nuk arriti që ta ndajë LDK-në dhe se këtë nuk mund ta bëjë askush, njofton Klan Kosova.

“LDK deri tash ka treguar historikisht që nuk mund ta ndajë askush. Nga LDK mund të ndahen individë kushdo qofshin ata, por LDK është tepër e organizuar me një histori të gjatë të veprimit. LDK është parti që iu ka qëndruar shumë stuhive, nuk mund ta ndajë aq më pak Vjosa Osmani që ka kohë se punon kundër LDK-së. Ajo ka kohë që është jashtë LDK-së me veprime, ndërsa me trup ka qenë aty”.

Fjalë të mira për bashkëpartiakët në krye të Qeverisë pati edhe Haziri. Ai lavdëroi marrëveshjen e nënshkruar në Washington duke thënë se do të përfitojë jo vetëm Kosova, por i gjithë Ballkani Perëndimor.

“Në Washington ka arritur të maksimalizohet kërkesa jonë që të përfshihemi në atë dokument politik. Përveç që ka përfituar një njohje si të Izraelit, në shpinë të Kosovës përfiton gjithë Ballkani Perëndimor. Ne duhet të duartrokasim një marrëveshje të tillë. Ata që po dalin kundër janë duke kundërshtuar pa kurrfarë arsye”.