​Isufi: Dialogu ndërpritet nëse hapet tema e Ujmanit dhe Trepçës

E publikuar: 02/09/2020 21:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi ka komentuar propozimin e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri për shkëmbim të territoreve me Serbinë, duke thënë se ka njerëz të cilët për një grusht vota janë në gjendje të lëshojnë formula të ndryshme si kjo.

Haziri kohë më parë kishte thënë se Kosova duhet t’ia japë Leposaviqin me 17 fshatra Serbisë, ku asnjë fshat shqiptar nuk do të mbetej andej kufirit.

Por, Ahmet Isufi i cili është pjesë e partisë që ndodhet në koalicionin qeverisës me LDK-në, thotë se Kosova nuk guxon të hapë tema për kufij.

“Kjo mund të hapë dilemën se sa mund të zgjasë dialogu rreth territoreve dhe vendet që na kanë njohur mund të kenë rezerva ndaj kësaj”, u shpreh ai në DebatPlus në TV Dukagjini.

Isufi ka hedhur poshtë mundësinë e hapjes së temës së Trepçës dhe Ujmanit në Uashington dhe Bruksel, duke thënë se delegacioni i Kosovës duhet të dalë nga takimi në momentin që flitet për këtë në tavolinën e negociatave.