“Kosova është ndër vendet me prioritet që mund t’i afrohet vaksina kundër pandemisë COVID-19. Dhe si shtet besoj që jemi të përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë të koronavirusit”. Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, i cili shpreson se Kosova do të jetë prioritet në listën botërore sa i përket furnizimit me vaksinën kundër COVID- 19. Ai gjatë një vizite që i ka bërë Shtëpisë së të Moshuarve ka deklaruar se tashmë është bërë plani për vaksinimin e popullatës me vaksinën kundër COVID- 19.
Ai ka theksuar se dy javëve e fundit ka pasur rënie të lehtë të numrit të rasteve të prekur me korona virus. Sipas tij, nëse vazhdohet me respektim të masave dhe zbatimin e rekomandimeve, Kosova do të jetë në rrugë të mbarë të uljes së numrit të rasteve me këtë sëmundje.
“Me këtë edhe të zvogëlojmë dimensionin e pandemisë në valët kur në kohën më të volitshme të shtatorit, po e shihni që në shumë shtete të Evropës tashmë është ngritur një valë e re. Tek ne është në rënie të lehtë, në rënie graduale e që shpresojmë që në ditët në vazhdim po qe se i përmbahemi rekomandimeve të gjithë dhe mënyrë strikte, jemi shumë në rrugë të mbarë ta zvogëlojmë”, ka thënë Ramadani.
Ndër tjera, ai tha se gjatë sezonit vjeshtor mund të përzihen dy viruse, ai aktual pandemik, dhe virusi tjetër i gripit.
Për këtë, ai tha se Qeveria e Kosovës dhe IKShP kanë bërë përgatitjet për parandalim. Për çka tha se shpreson se në fillim të këtij sezoni do të vaksinohet popullata për gripin sezonal, e po ashtu edhe kundër COVID-19, meqë Kosova është ndër vendet me prioritet.
“Ne shpresojmë që në fillim të sezonit dimëror, së pari do të vaksinohen popullata e ndjeshme, dhe sipas indikacioneve epidemiologjike për gripin sezonal. Dhe së dyti së shpejti pritet të dalë vaksina COVID-19, dhe Kosova është ndër vendet me prioritet që mund t’i afrohet vaksina. Dhe ne kemi bërë edhe planin për vaksinim të popullatës, së bashku edhe me vaksinën e gripit sezonal. Dhe si shtet besoj që jemi të përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë”, ka deklaruar ai.
Ndër tjera, i pyetur në lidhje me lehtësim të masave dhe kërkesën e shoqatës së gastronomeve, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha se këto çështje duhet t’i adresohen kuvendit dhe qeverisë.
“Këto çështje duhet t’i adresohen Qeverisë së Kosovës, duhet t’i adresohen kuvendit, i cili ka qenë dhe është i obliguar që të miratojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe t’iu dalë në ndihmë të gjithë bizneseve dhe afaristëve, që nënkupton edhe gastronomëve. Që t’iu lehtësojë mënyrën e punës dhe rrethanat në të cilat po kalojmë në kohë të pandemisë…Çdo masë që mundemi ta marrim lehtësuese duke ruajtur shëndetin, dhe duke menaxhuar hapjen e kontrolluar ne do të ecim përpara, por pa një siguri të plot dhe pa rekomandime të sigurta ne nuk mund të kemi ndonjë vendim pavarësisht kërkesave, ideve që mund të jenë shumë të drejta”, ka shtuar Zemaj.
Sa i përket numrit të vdekjeve të personave me COVID-19, drejtori i IKShP-së tha se Kosova nuk është e para në botë, dhe se mbetet prapa shteteve të zhvilluara të perëndimit deri katër herë të vdekshmërisë më të vogël nga kjo pandemi./kp



















