Vuçiq flet për takimin në Uashington: Mundësia e pranisë së Trump, flet për disa ide të tjera

E publikuar: 25/08/2020 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk e di se cila do të jetë agjenda e takimit të 4 shtatorit me palën kosovare në Uashington, por se sipas tij, mundësia e pranisë së presidentit Donald Trump “flet për disa ide të tjera”, përveç bisedimeve për ekonominë.

“Ne do ta informojmë publikun për gjithçka që po ndodh, ne nuk do të fshehim asgjë dhe besoj se do të kemi forcën dhe mençurinë për të marrë vendimin më të mirë për Serbinë,” tha Vuçiq, transmetojnë mediat serbe.

Ai theksoi se “vendimet më të rëndësishme do të merren nga populli i Serbisë”.

Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington është shtyrë për 4 shtator. Disa media spekulojnë se presidenti i SHBA mund të bashkohet në bisedime.

Takimi në Uashington u njoftua nga i dërguari i presidentit amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenel, dhe ai është i organizuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare të Trump, Robert O’Brien, nga zyra e të cilit u konfirmua se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të jenë të pranishëm.