Serwer: Në Shtëpinë e Bardhë janë të mundshme disa marrëveshje për Trepçën dhe Ujmanin

E publikuar: 25/08/2020 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 4 shtator pala kosovare dhe ajo serbe do të bëhen bashkë në Shtëpinë e Bardhë.

Daniel Serwer, njohësi i çështjeve të Ballkanit, thotë se nuk ishte “mjaft i sigurt” nëse diçka do të nënshkruhej në takimin midis Kosovës dhe Serbisë në Washington. Por ai nuk ka përjashtuar mundësinë e arritjes së “disa marrëveshjeve në fushën ekonomike, duke përfshirë edhe atë në Trepça dhe Ujmanit”.

Sipas tij është e mundur edhe një marrëveshje për zonat e veçanta ekonomike përgjatë kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.

“Dyshoj se do të ketë një marrëveshje për çështje kryesore politike që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve, sepse përshtypja është se Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën si të pavarur dhe sovran, dhe Prishtina nuk mund të pranojë asgjë më pak se kaq”, deklaron ai për Danas.

Serwer ka shtuar edhe se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka një shumicë të vogël në parlament dhe nuk dëshiron të rrezikojë zgjedhjet e parakohshme.