Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar sot Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn për të diskutuar rreth çështjes së dialogut me Serbinë, para takimit me palën serbe më 4 shtator në Uashington.
Partnerët e koalicionit qeverisës janë pajtuar që në dialog të shkojnë vetëm për njohje. Pas takimit u tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe se aty nuk është diskutuar për postin e presidentit.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se është e turpshme që në këtë periudhë të diskutohet çështja e postit të presidentit. Sipas tij, kërkesat e ambiciet janë normale, por nuk është temë e koalicionit qeverisës çështja e presidentit.
Limaj: E turpshme të diskutohet për presidentin tani
(Video)
“Kosova e ka presidentin, qëndrimi zyrtar i Nismës është që Kosova e ka presidentin e vet, dhe nuk është temë e diskutimit, madje për mendimin tim është e turpshme të diskutohet kjo temë tani. Qëndrimi i Nismës është ky që e thash, nuk kemi pasur pse të diskutojmë këtë në takim. Kjo temë nuk është pjesë e diskutimeve në tavolina”, tha Limaj.
Limaj tha se koalicioni qeverisës ka stabilitet, por që herë pas herë secili shpreh shqetësimet e mospajtimet për çështje të caktuara.
Limaj: Koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm
(Video)
“Koalicioni është ky që është, është i qëndrueshëm për aq sa ka partneritet korrekt në funksion të kryerjes së detyrave shtetërore, në momentin kur nuk ka për korrektësi nuk na duhen koalicione të improvizuara, të cilat nuk janë në shërbim të temave për të cilat folëm”, tha ai.
I pyetur për një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, Limaj tha se nuk është ai që duhet të përgjigjet për këtë çështje, duke shtuar se e përkrah një qeverisje të gjerë e të fuqishme.
Limaj: Jam për një qeverisje të gjerë e të fuqishme
(Video)
“Unë gjithmonë jam për një qeverisje të gjerë stabile, të fuqishme, e cila merr përgjegjësi për trajtimin e këtyre temave që janë të ndjeshme për vendin”, tha ai.
Partnerët e koalicionit u mblodhën sot kur ka mbetur më pak se dy javë deri në takimin me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.
Limaj tha se delegacioni i Kosovës duhet të jetë i fokusuar në dialog për njohje. Ai tha se nuk do të futen në atë që e quajti lojë e stërzgjatjes së temave të ashtuquajtura teknike, që sipas tij, do ta kthenin Kosovën në dialog siç ka qenë në Bruksel nga viti 2011.
Ai tha se u pajtuan që Kosova është e gatshme të merr pjesë në dialog me agjendën e saj të qartë për njohje./kp