Nënkryetari i LDK-së, Ismet Beqiri ka folur për funksionimin e koalicionit qeverisës.
Nënkryetari i LDK-së, Ismet Beqiri, i është përgjigjur deklaratës së kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, se nëse LDK-ja nuk e mbështet atë për president, atëherë AAK-ja do ta rrëzojë Qeverinë Hoti.
Beqiri vlerëson se kandidimi i Haradinajt për president është dëshirë e parakohshme e tij, duke thënë se nëse gjërat brenda koalicionit nuk ecin mirë, atëherë duhet shkuar në zgjedhje.
“Unë mendoj që rruga më e mirë është të ulemi dhe të bisedojmë, dhe të sqarojmë paqartësitë eventuale. Mungesa e komunikimit fizik në mes të liderit tonë Isa Mustafa me liderin Ramush Haradinaj ndoshta ka mundur të ndikojë që të ketë pakënaqësi. Por, deri më tani nuk ka pasur pakënaqësi të mëdha”, tha Beqiri për RTV 21.
Lidhur me ambiciet e liderit Ramush Hardinaj për postin e presidentit, Beqiri ka thënë se “ ne nuk duhet të ngutemi në këtë aspekt sepse zoti Thaçi, ndonëse e ka një proces të pa zyrtarizuar, ai mbetet ende në mandate. Duhet të pritet se si po rrjedhin gjërat, ndërkohë partnerët e koalicionit nuk e kanë pasur për temë punën e presidentit. Nëse gjerat nuk ecin, atëherë opsioni është i qartë, shkohet në zgjedhje”, ka thënë Beqiri.



















