Qeveria e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media në faqen zyrtare të kryeministrisë ka bërë sot të ditur se ka dhënë dorëheqje Bordi i Telekomit të Kosovës që ishte emëruar në korrik të këtij viti nga kryeministri Avdullah Hoti.
Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës i emëruar nga Qeveria në krye me Avdullah Hotin ka dhënë sot dorëheqje. Kështu të paktën është bërë e ditur përmes një njoftimi të dhënë nga Qeveria, e që është publikuar në faqe të kryeministrisë.
Aty shkruhej se Hoti e ka pranuar me shqetësim dorëheqjen e Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, në një situatë të vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike të rëndësisë strategjike për vendin.
“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk e mirëpret aspak këtë veprim të Bordit të Telekomit. Vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar. Qeveria është e vendosur që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të kësaj ndërmarrjeje me rëndësi strategjike për vendin. Prandaj, në cilësinë e aksionarit, Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë për të ndaluar veprimet e tilla dhe për të siguruar kushte për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoti.