​MPMS sqarohet rreth gabimit për listën e masës 15 të pakos emergjente

E publikuar: 12/08/2020 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale njofton të gjithë qytetarët se gjatë përgatitjes dhe filtrimit të listave për njoftim me SMS rreth statusit të aplikimit për masën 15 të pakos emergjente, ka ndodhur një gabim teknik, si pasojë e të cilit një numri të përfituesve dje iu është dërguar gabimisht një SMS që nuk dedikohej për ta.

“Të gjitha këto familje sot gjatë ditës kanë pranuar një SMS tjetër sqarues rreth këtij gabimi teknik. Për çdo paqartësi apo ankesë eventuale, palët mund të paraqiten në Qendrën për Punë Sociale të komunës ku jetojnë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion bartës i procesit të zbatimit të Masës 15, kërkon ndjesë dhe mirëkuptim për këtë lëshim i cili mund të ketë shkaktuar pakënaqësi te pranuesit e SMS-it në fjalë.

Ndryshe, ministrja e Ekonomisë Hykmete Bajrami ka fajësuar MPMS për listën jo të saktë të përfituesve të masës 15, për shkak të të cilës disa qytetarë të Kosovës kanë pranuar gabimisht një mesazh se janë përfitues të masës 15 të pakos emergjente kundër pandemisë me koronavirus.

Ajo ka paralajmëruar se do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast dhe se për këtë problem është njoftuar edhe kryeministri Avdullah Hoti.