Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se reagimi i institucioneve të Kosovës ndaj këtij rasti ishte i zbehtë.
“Përpjekjet sekrete për të prekur kufijtë e Kosovës dështuan. Këto ditë Serbia shkeli haptazi kufirin në Karaçevë. Reagimi i institucioneve ishte i zbehtë, mbeti vetëm në fjale. Nga zyra e qeverisë nuk mbrohen kufijtë”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, të premten nëpër rrjetet sociale qarkulluan video dhe fotografi ku shiheshin ushtarë serbë në Karaçevë të Kamenicës. Kjo gjë ngjalli reagime të shumta sidomos te banorët e asaj zone, të cilët thanë se po ndjehen të rrezikuar.
E kryeministri Avdullah Hoti gjatë një bisede me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Risi është njoftuar se një veprim i tillë ka qenë një patrullim i përbashkët i KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, me të cilat që nga 2008 KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare.
Hoti ka siguruar qytetarët se kufijtë e Kosovës janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe se në ditët në vijim do të merren veprime konkrete, në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë patrullimet e përbashkëta me KFOR-in.