Valtteri Bottas ka nënshkruar një marrëveshje të re me Mercedesin. Ai do të qëndrojë aty deri në fund të sezonit 2021.
Piloti finlandez do të garojë në Çmimin e madh të 70 vjetorit të Formula 1, në Silverstone me 30 pikë më pak se shoku i skuadrës së tij, Lewis Hamilton, në renditjen botërore.
Bottas, iu bashkua Mercedesit në 2017 dhe deri më tani ka shënuar tetë fitore dhe 12 polepozition me ekipin e tij. 30-vjeçari, i cili fitoi në garën e parë të sezonit në Austri, tha se është i lumtur për këtë
“Jam shumë i lumtur që do të qëndroj me Mercedes deri në 2021 dhe të vazhdojmë sukseset së bashku”, shtoi ai.
Ndërsa e ardhmja e Hamilton përtej këtij viti nuk është konfirmuar ende, por pritet që gjashtë herë kampioni i botës në Formula 1, të qëndrojë sërish me Mercedesin. Por vetë piloti britanik, thotë se nuk është koha e duhur për të zhvilluar bisedime për një kontratë të re, duke pasur parasysh, klimën aktuale globale të pandemisë Covid-19.
“Sinqerisht, nuk e ndjej se është koha e duhur për t’u ulur në bisedime”, – tha Hamilton.
“Kur mendoj që ka shumë njerëz në botë që kanë humbur punën e tyre, dhe njerëz të papunë, për t’u ulur dhe për të negociuar një kontratë të madhe, nuk më duket si gjëja më e rëndësishme që unë duhet të bëj aktualisht”. Megjithatë te Mercedesi janë të qetë se Hamilton do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës gjermane edhe në vitet në vazhdim. E duket se të dy palët, Hamilton-mercedes, do të ulen për të biseduar qetësisht për të rënë dakord për një kontratë të re.