Rinisja procesit teknik të dialogut në Bruksel, në kohën kur pritej që ky proces të shkonte drejt një marrëveshjeje finale politike, po shoqërohet me kundërshtime në Prishtinë.
Përveç presidencës që është deklaruar kundër, edhe njohësit e proceseve politike kundërshtojnë rinisjen e një dialogu të nivelit teknik.
Ish-kryenegociatorja në dialogun teknik Kosovë-Serbi dhe ish-ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, thotë se nisja e çfarëdo dialogu të ri të nivelit teknik, mund të shtyjë procesin e arritjes së marrëveshjes finale.
“Kam frikën se ajo që është paralajmëruar si dialog teknik për këtë javë mund ta fusë këtë proces edhe në dhjetë vjetët e ardhshme dhe kjo qasje nuk i sjell paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm as rajonit, e as marrëdhënieve mes të të dyja shteteve”, tha Tahiri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.
Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, pritet që në këtë takim të vazhdojnë diskutime lidhur me dy tema te ngritura në takimin Hoti – Vuçiq.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, te tema ekonomisë mes tjerash përfshihen edhe dëmet e luftës, borxhi shtetëror, pensionet, kursimet në banka si dhe dëmet e pronës private në kohën e luftës.
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se këto tema që janë diskutuar në takimin e javës së kaluar në mes të kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq duhet të përfshihen në kuadër të marrëveshjes finale e jo të diskutohen në proces teknik.
“Tani duhet të punohet për marrëveshjen finale si dhe brenda saj mund të adresohen çështjet që quhen teknike, por që janë shumë të rëndësishme, reparacionet e luftës, pastaj suksesioni, ndarja e pasurisë e të tjera. Por, nëse përsëri shkohet më gjëra teknike dhe pastaj të vihet me marrëveshjen finale, kjo ka rrezik që ta lë procesin të hapur pafundësisht”, tha Tahiri.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell(djathtas), presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti.
BE pret palët që të konfirmojnë delegacionet
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian konfirmon se ka dërguar ftesat te Kosova dhe Serbia, sa i takon rinisjes së dialogut teknik.
Zëdhënësja për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, thotë se në takim do të diskutohet për çështjet që janë biseduar në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, thotë Massrali.
Në BE nuk i komentojnë kornizat e takimit e as pritjet nga ky proces.
Qeveria preferon të heshtë
Radio Evropa e Lirë ka provuar gjatë të shtunës dhe të dielës që të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës se kush do të jetë pjesë e delegacionit në takimin teknik si dhe cila do të jetë korniza e takimit.
Zyra e kryeministrit Avdullah Hoti nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë, por pas insistimit dhe e vetmja përgjigje që është dhënë është se: “Do të njoftoheni me kohë”.
Interesimit për të kuptuar më shumë rreth përbërjes së ekipit si dhe për pritjet e qeverisë nga ky proces nuk i është përgjigjur as zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj që shoqëroi kryeministrin Hoti në Bruksel.
Presidenca kundër dialogut
Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh këshilltari kryesor politik i presidentit, Bekim Çollaku, thotë se qëllimi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, dialogu teknik është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status quo.
Emini: BE-ja ka qasje të gabuar në këtë proces
Njohësja e proceseve politike, Donika Emini, mundësinë e rinisjes së dialogut teknik, e cilëson si strategji të gabuar të Bashkimit Evropian.
“Të fillohet me proces teknik duke shpresuar se na sjell diçka politike edhe me elita politike të tilla nuk besoj se është strategjia që duhet ndjekur. Nuk ka nevojë të fillohet me një proces teknik ku mund t’i humbim ndoshta edhe dhjetë vjet të tjera duke folur për gjëra që nuk janë të rëndësishme, pra për gjëra që nuk sjellin asgjë në funksion të përfundimit të kësaj mosmarrëveshje dypalëshe në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Hoti në dialog pa mbështetje të opozitës
Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Artan Abrashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet, pasi siç thotë ai, kryeministri Avdullah Hoti udhëheq një qeveri pa mbështetje politike dhe legjitimitet.
“Ne nuk besojmë në procese dhe diskutime të kësaj natyre. Koha ka treguar se nuk ka çështje teknike. Problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është problem teknik. Është problem politik dhe nuk shohim asgjë pozitive nga ky proces, kur e dimë shumë mirë se ku do të përfundojë”, thotë Abrashi.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës kritikoi kryeministrin Avdullah Hoti për nxitim për të shkuar në Bruksel.
Deputeti Enver Hoxhaj, të shtunën në një konferencë për media, e quajti qeverinë dhe kryeministrin Hoti të papërvojë për ta udhëhequr këtë proces.
“Ajo (Qeveria e Kosovës) ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspert”, deklaroi Hoxhaj.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan me 16 korrik në Bruksel.
Ky takim ndodhi pas gati dy vjetësh, pasi dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjes së tarifës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Ndryshe, bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011.
Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Por, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.