Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, mbajti sot mbledhjen e radhës në mënyrë elektronike (virtuale), në të cilën vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 23 korrik 2020.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Kuvendi, në orën 10:30, Kuvendi do të vazhdojë seancat me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota për, si dhe dy propozim-rezolutat nga debati i fundit i Kuvendit lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid 19 nga ana e qeverisë.
Ndërkaq në orën 11:00, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës.
Nëse Komisioni për Buxhet dhe Transfere arrin të kryej punën e tij, pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance pritet të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.
Kështu, komisionet përkatëse u ngarkuan me shqyrtimin e tri projektligjeve: Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”, Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, si dhe Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, për të cilat qeveria ka dhënë opinion negativ, duke i konsideruar të panevojshme.
Po ashtu për shqyrtim në komisionin përkatës parlamentar u procedua edhe Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i mbështetur edhe nga qeveria./kp/