Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për aktakuzat e paralajmëruara nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se akuzat që delegohen përmes kësaj gjykate, burimin e kanë në Serbi. Haradinaj ka thënë se liderët politikë nuk duhet ta sulmojnë njëri-tjetrin, kur Kosova sulmohet nga armiku.
“Akuzat që vijnë nga Specialja, burimin e kanë në Serbi. Kur të sulmon armikun, mirë është të mos sulmojmë njëri-tjetrin. Nëse rrezikohet konfirmimi i ndonjë vepre, Kosova rrezikon të dëmtohet rëndë”, ka thënë Haradinaj në Syri TV.
Ai ka thënë se aktakuzat janë të rënda dhe e dëmtojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Këto aktakuza kanë të bëjnë me spastrim etnik, me vijën komanduese. Të gjitha kanë tendencë që t’i atribuohen të gjithë vendit. Serbia është duke punu me ia ba një dëm shqiptarëve, me ia lanë disa gjëra të këqija, për të cilat Kosova mund të vuaj ndër shekuj”, ka thënë ish-kryeministri Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se llogaritë personale të liderëve të Kosovës, duhet të lihen mënjanë në këtë kohë.