Me 67 vota pro miratohet në lexim të parë rishikimi i buxhetit

E publikuar: 13/07/2020 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë rishikimin e buxhetit me 67 vota pro dhe një abstenim. Derisa gjatë shqyrtimit të tij sot kryetari Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere, Hekuran Murati ka kërkuar të bëhen sqarime për qytetarët lidhur me pagesat prej 170 eurove dhe rishikimin e buxhetit, pasi sipas tij ka manipulime.

Derisa deputeti i VV-së, Murati i ka quajtur hipokritë deputetët e LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë, theksoi se po të mos ishte rrëzuar qeveria pagesat e këtyre kategorive për punëtorët dhe bizneset do të ishin kryer në fund të muajit maj.

Pas kësaj deklarate, deputeti Murati është ndaluar më britma nga deputetët.

Murati: Të gjithë jeni hipokritë, po manipuloni për 170 euro

Video

“Për të sqaruar, vonesat në pagesën e këtyre ndihmave janë bërë për shkak se është rrëzuar qeveria, është rrëzuar prej jush, është rrëzuar prej jush edhe prej juve atje lartë. Andaj, të gjithë jeni hipokritë kur e akuzoni Lëvizjen Vetëvendosje për mospagesë të 170 eurove. Po të mos ishte rrëzuar qeveria të gjitha pagesat do të ishin kryer deri në fund të muajt maj. Ju lutemi qetësi. Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk po i kundërshtojmë pagesat për qytetarët”, theksoi Murati.

Për zhurmën në Kuvend, reagoi edhe kryetarja Vjosa Osmani.

Osmani: Nuk lejoj të ketë britma në Kuvend

Video

“Ju lus me gjuhën mos përdorini gjuhë jo parlamentare e cila mundet të nxisë tensione pastaj e në debat. Kush do që e kërkon fjalën nuk keni nevojë të bërtisni as me ‘kërsitë’ në mënyrë që seanca të vazhdojë në mënyrë të rregullt, duheni patjetër të kërkoni fjalën”, theksoi Osmani.

Për votimin e rishkimit të buxhetit në lexim të parë, kryeministri Avdullah Hoti ka falënderuar të gjithë deputetëve për mbështetjen e rishikimit të buxhetit. “Tash duhet shpejt të procedohet në komisione parlamentare dhe të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar”, shkruan Hoti.

Ndërsa, kjo seancë është mbyllur, derisa pritet që në orën 16:00 mbahet interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti për pandeminë. /I. Shabani/