Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj njoftoi se edhe 20 inspektorë sanitarë iu shtuan luftës kundër Covid-19. Sipas tij, këta do të jenë të angazhuar në tërë Kosovën.
Zemaj u shpreh se do të mbikëqyren nga inspektorati përkatës që funksionon në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Në vijim do të fillojnë punën edhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknikë dhe mbështetës. Kjo po bëhet në kuadër të rritjes së kapaciteteve të luftës kundër pandemisë Covid-19”, shtoi Zemaj.
Inspektorët e rinj do të kryejnë̈ inspektime sanitare, kontrolle për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, higjienës së ushqimit, përpunimit, tregtimit, paketimit, ripaketimit, deponimit, transportimit të ushqimit.
“Do të zbatojnë legjislacionin për Parandalimin dhe luftimin e Sëmundjeve ngjitëse. Do të inspektojnë institucionet publike dhe private, produktet ushqimore dhe jo ushqimore; shtesat dhe aditivët në ushqim; higjienën në institucione publike dhe private; ujin për pije, pijet freskuese dhe joalkoolike; subjektet afariste të cilat merren me ushqim, përfshirë edhe zbatimin e parimeve të sistemit HAÇP për kontrollin e ushqimit; objektet hoteliere”, vijoi Zemaj.
Sipas tij, ata do të japin pëlqime sanitare për kushtet sanitaro – teknike dhe higjienike në procesin e dhënies së lejeve ndërtimore për objektet./kp/