Lulzim Basha, ose versioni modern i “ëndrrës për një karrike”!

E publikuar: 12/07/2020 22:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Alfred Peza

“Një dëshirë e kryetarit të opozitës, është që të zëvendësojë, Kryeministrin pas zgjedhjeve të 2021. Me një qëndrim autoritar, kërkon që të lerë përshtypje tek opozitarët e tjerë, se është i denjë për këtë pozitë. Por Lulin e shqetëson mendimi se po hapi listat e kandidatëve për deputetë, nëse nuk fiton dot zgjedhjet, ka frikë se do të humbë bashkë me to edhe partinë”.

Kjo është në mënyrë të përmbledhur, një version i përshtatur për realitetin politik aktual në Shqipëri, bazuar në përmbajtjen e komedisë së njohur “Ëndërr për një karrige”. E realizuar në vitin e largët 1984, aktrimi i Lulzim Bashës sot në ëndrrën e tij të madhe për tu bërë një çikë Kryeministër, gjithësesi është shumë larg personazhit kryesor të luajtur në film nga i madhi Luftar Paja.

Që Lulzim Basha ka një ëndërr jo si ajo e Martin Luter Kingut, por si kjo e titullit të komedisë shqiptare për një karrike, kjo nuk fshihet tashmë. Nuk fshihet as prej tij personalisht. As prej vartësve të tij. As prej propogandës së tij. As prej mediave të tij. As prej aleatëve të tij. As prej kundërshtarëve të tij brenda përbrenda PD dhe “Opozitës së Bashkuar”.

Besoj i keni parë se çfarë po bëjnë këto kohë me shkrime, me tituj, me sondazhe, me postime, me opinione, qëndrime dhe gjithçka tjetër që ia përkëdhel Kryetarit të Partisë Demokratike, ëndrrën e tij. Aq shumë duket se i ka pëlqyer e gjitha kjo atmosferë që e ka krijuar artificialisht vetë, sa nuk u përmbajt këtë javë dhe doli dhe e tha edhe publikisht: Unë Kryeministër, Edi Rama President!

Do të ishte kurioze për shumë njerëz në Shqipëri, së çfarë ndodh në nënkoshiencën e një individi që ëndrrat e tij, i sheh të projektuara edhe në mendjen e të tjerëve. Deri në atë pikë, sa nis e beson vërtetë se ëndrra që ai po sheh me sy hapur e me sy mbullur natë e ditë, është e vërtetë. Është projeksion virtual i një realiteti politik, që mbetet veçse të materializohet formalisht, pas zgjedhjeve të reja në Shqipëri!

Po ta shohësh nga këndvështrimi ynë, kjo është një gjë që e tejkalon edhe komedinë, deri në kufi të qesharakes. Por po ta shohësh nga pozicioni i tij, ëndrra me karriken e Kryeministrit, është shumë serioze! Ëndrra e Lulzim Bashës, sigurisht që bazohet diku, për tu formësuar dhe projektuar si e tillë. Llogaria e tij duket që bazohet tek parimi, se nuk është nevoja që të hipësh në pemë për të marë frutin, mjafton që të flesh gjumë poshtë saj dhe herët ose vonë ajo do këputet e do të bjerë në prehër.

Llogaria tjetër me siguri bazohet tek rregulli i periodicitetit të rrotacionit të pushteteve në këto 23-24 vitet e fundit në Shqipëri, pas 1997. Ku secila nga mazhorancat e radhës kanë qëndruar nga 8 vjet, pra 2 mandate qeverisëse, për ti hapur rrugën drejt pushtetit liderit të opozitës. Fakti që u pranuan të gjitha propozimet e opozitës për reformën e re elektorale, në marrëveshjen e 5 Qershorit, duket se nuk është marë si një shenjë force për mazhorancën, por si dobësi të saj!

Të gjitha këto dhe ndonjë arësye tjetër, e bëjnë me sa duket Bashën të ndihet aq i sigurtë se ëndrra e tij për karrigen e Kryeministrit, është një realitet. I mbetet vetëm të çertifikohet në ditën e votimeve diku mes 15 prillit e 15 majit të vitit të ardhshëm. Aq shumë e beson këtë ëndërr, sa e keni vënë re besoj, se flet si ai Kryeministri që do të jetë nesër. I sigurtë. I vetkënaqur. Jo me zë të çjerrë si dikur gjatë këndimit të himnit. Por me zë të trashë. Të plotë. Të vendosur. Bash duke ia bërë vedit me sy,- siç do të thoshte në këtë rast, Jozefina Topalli.

A është ndonjë gjë e keqe kjo? Jo domosdoshmërisht. Por në politikë, duhet që të hysh njëherë në fushatë, të besh betejë, të kesh program, ekip, frymë dhe të të mbështesin masivisht qytetarët nga nevoja e tyre për ndryshim dhe jo nga ëndrra jote me karrike. Pas kësaj, ëndrrat edhe mund të të bëhen, ndoshta realitet.

Ka dy filozofi në jetën reale për ëndrrat. Njëra është për ata që nëse u thua “Luli po sheh ëndërr” të thonë: Zgjoje që ta bëjë realitet. Ndërsa tjetra është: “Luli po sheh ëndërr”, e ata të thonë: Lëre të flejë që ta shijojë deri në fund.

Se kujt prej këtyre dy lloj fillozofive i përket Kryetari i PD, këtë e kanë mësuar gjithë shqiptarët tashmë. Ndaj, e rëndësishme është që “Ëndërr për një karrike”, ka tashmë edhe versionin e saj modern!